Kuvendi i Kosovës ka dështuar për të tretën herë që ta miratojë në parim Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor.
Kjo pikë e rendit të ditës është hedhur në votim dy herë në seancën e sotme.
Por, projektligji në fjalë nuk arriti të marrë votat e nevojshme që nevojiten për të proceduar tutje.
Këtë Projektligji e kanë kundërshtuar vazhdimisht edhe disa deputetë të shumicës parlamentare, duke shkaktuar debate të shumta në shoqëri.
Në fillim të vitit Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor ishte miratuar në Qeveri.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë me këtë Projektligj rregullohet kujdesi shëndetësor, procedurat e fertilizimit të asistuar mjekësor, realizimi dhe këshillimi për këto procedura si e drejtë riprodhuese e individit kur nuk arrihet shtatzëni e dëshiruar me rrugë natyrore.
“Në të ardhmen, qytetarët mund të kenë mundësi që këto shërbime të rëndësishme lidhur me shëndetin riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar -Fertilizimi in vitro (IVF) t’i marrin edhe në institucionet publike shëndetësore”, njoftonte MSH-ja.
MSH ka deklaruar tutje se rregullimi i kësaj fushe tashmë edhe me ligj, krijon mundësinë për organizimin, funksionimin, rolin dhe përgjegjësitë institucionale dhe profesionale, mbikëqyrjen, inspektimin për kujdesin shëndetësor të sigurt dhe cilësor që ofrohet në fushën e shëndetit riprodhues.