Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka akuzuar opozitën e këtij komisioni.
“Ariana Shoshi nga PDK dhe Time Kadriaj nga AAK kanë nënshkruar në fletë prezencën dhe kanë lëshuar takimin duke e bërë të pamundur zhvillimin e dëgjimit të kandidatëve dhe rrjedhimisht dëgjimi shtyhet për nje datë tjetër. Ky veprim është sabotim i procesit të caktimit të ambasadorëve”, ka shkruar Abazi në facebook.
Në këtë mbledhje, përveç Abazit kanë qenë të pranishëm edhe Adelina Grainca (LVV), Bahrim Shabani (VAKAT), Dimal Basha (LVV), Fitore Pacolli (LVV), mirëpo për t’u mbajtur mbledhja duhet të jenë së paku 6 anëtarë të pranishëm.
Time Kadriaj, anëtare e Komisionit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një prononcim për KALLXO.com ka thënë që sigurimi i numrave është detyrë e pozitës, dhe opozita nuk do t’ia bëjë kuorumin.
Kadriaj ka kritikuar Abazin për shkak të publikimit të njoftimit për dështimin e kësaj mbledhje, pasi që sipas saj kjo ka qenë konfidenciale.
“Kryetari i Komisionit ka gabuar sepse çështja e intervistimit është konfidenciale, dhe çështja e emrave, mbajtja e komisionit nuk ka qenë e lajmëruar dhe vet kryetari i komisionit e paska prishur konfidencialitetin”, tha ajo.
Kadriaj tha që AAK do të jetë pjesë e procesit, por me kushtin që pozita t’i sigurojë numrat.
“Ne jemi të interesuar të shohim kredibilitetin e kandidatëve për ambasadorë, por në kushte që pozita t’i ketë numrat”, tha ajo.