Në rastin e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, e ka nisur dëshminë, dëshmitari i tetë.
Një pjesë e seancës ishte e hapur dhe aty prokuroria e pyeti dëshmitarin për disa ushtrime që janë zhvilluar në Bajgorë.
Dëshmitari tha se ata stërvitjet i kryenin në një shkollë në fshatin Bajgorë.
“Stërvitja ka qenë e përqendruar në fshatin Bajgorë, në një shkollë. Ka qenë bazë zonë operative, ku pas stërvitje ka qenë i përqendruar vet shtabi atje, depoja e municionit dhe kuzhina ushtarake”, ka thënë dëshmitari.
Më pas ai u pyet nga prokuroria se kush i trajnonte ata dhe se çfarë rroba patën të veshur personat që i trajnonin, po ashtu u pyet se a e njihte ndonjë prej komandantëve që u ishte prezantuar gjatë atij trajnimi.
“E mbaj mend se na ishte prezantuar komandat Remi, ishte komandant i zonës së Llapit”, ka thënë dëshmitari i tetë.