Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të mërkurën po vazhdon gjykimi ndaj tre të akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq,
Në këtë seancë, ka nisur dëshminë zyrtari policor- i dëmtuari Mirsad Kryeziu, raporton Demos.
Ai tha se ka marrë lëndime derisa ka tërhequr policin Afrim Bunjaku kur u sulmuan.
“Dëmtimet e mia kanë qenë gjatë tërheqjes së rreshterit Afrim Bunjaku, për shkak të sulmeve që janë bërë nga grupi që ne jemi sulmuar në atë kohë. Më saktësisht lëndimet qe kam pas kanë qenë në gjunjë dhe normalisht traumat psikologjike siç janë gjatë breshërive të armëve dhe sulmeve të ndryshme”.
“Pasi që kemi filluar punën, ishim te caktuar 24 orë në ditë, kemi marrë detyrat dhe jemi nisur. Pajisjet tona kanë qenë pajisje policore. Vetura ishte normale jo e blinduar, jeleku antiplumb, jeleku taktik, armët që i përdorim si njësi e specializuar, armë të gjata dhe armë personale, revole. Ne kemi kryer ndërrimin në ora 02:00 të natës, gjatë kthimit për në bazën e Koshtovës të Vllahisë, posa kemi urë në fshatin Banjska, tek ura ku hyn në fshat dhe aty kemi vërejtur se janë të parkuar dy kamionë që bënin bllokimin e hyrjes në fshat dhe për një moment kemi njoftuar dhomën komanduese dhe kemi informuar se në urën e fshatit gjenden dy kamionë”, tha ai.