Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka thënë se mosekzekutimi i pagave kundrejtë mësidhënësve është i pamatur dhe skandaloz, që sipas tij prek në cilësinë e arsimit dhe në gjendjen socio-ekonomike të çdo familje që ka pjestarë të punësuar në arsim apo fëmijë në shkolla.
“Ky veprim i qeverisë nuk mund të kuptohet ndryshe, por vetëm orvatje për të krijuar rrethana të paqena dhe të panevojshme krize me akter të caktuar. Në këtë relacion jemi jashtëzakonisht të shqetësuar, sepse veprimi do të jetë me pasoja direkte në cilësinë e arsimit. Tashmë kemi humbur më shumë se një muaj dhe goditja e radhës pas fillimit të mësimit është kjo që qeveria me paramendim po krijon dhe po orvatet të pengoj procesin e mbarëvajtjes së mësimit”, ka thënë Shala për IndeksOnline.
I pyetur se cilat veprime do t’i ndërmarr PDK për të kundërshtuar këtë vendim të Qeverisë, Shala ka thënë se ky subjekt po e përcjell nga afër situatën dhe se të gjithë hapat juridik do t’i shterojnë që të padisin ministrin dhe të realizojnë atë, që sipas tij, është e ligjshme në raport me kërkesat e arsimit shqip.