Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, e ka konsideruar të gabuar vendimin e Qeverisë Kurti, për t’i rekomanduar Kuvendit shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), Kimete Gashi.
Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj e ka propozuar shkarkimin e Gashit, për shkak të tenderit për insulina, që nuk kishte autorizim-marketingu.
E sipas Shalës, ekzekutivi duhet ta tërheqë këtë vendim dhe ta sjellë prapë për të gjithë anëtarët e Bordit të OSHP-së.
“Konsideroj që ne nuk duhet të ngutemi dhe të bëjmë gabime. Nëse ka ardhur një vendim i Qeverisë, qeveria e ka të drejtën e vet, mendimin por është edhe pavarësia e parlamentareve me e dëgjua palën. Nuk ka vendim individual, nuk është as etike që ne tani ta drejtojmë gishtin tek një person që realisht ka paqartësi dhe për një vendim që ka qenë kolektiv”, deklaroi ai, gjatë Komisionit për Buxhet.
“Të tërit kanë shkelë ligjin, konsideroj se qeveria duhet ta tërheq këtë vendim dhe ta bjen vendimin për të gjithë, e jo kështu të selektuar, dikë më mik e dikë më armik, sepse nuk është as e ligjshme e as e moralshme”, shtoi ai.