Disa zyrtarë amerikanë janë nisur për në Rusi për të diskutuar një armëpushim të mundshëm në Ukrainë, sipas presidentit të ShBA-së, Donald Trump.
Lajmi vjen pasi zyrtarët ukrainas u pajtuan për një armëpushim 30-ditor pas një takimi të shumëpritur me zyrtarët amerikanë në Arabinë Saudite, raporton televizioni BBC.
Më herët, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, tha se “topi vërtet është në fushën e tyre (Rusisë)” dhe se Shtetet e Bashkuara besojnë se mënyra e vetme për t’u dhënë fund luftimeve është përmes bisedimeve të paqes.
Vizita e delegacionit amerikan në Moskë vjen pasi Kremlini pretendoi se presidenti rus, Vladimir Putin, e kishte vizituar rajonin rus të Kurskut, një pjesë e të cilit ka qenë nën kontrollin e forcave ukrainase që nga sulmi i befasishëm i tyre në gushtin e vitit të kaluar.
Pas takimit të delegacioneve ukrainase e amerikane në qytetin Jeddah të Arabisë Saudite të martën, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se tani i përket ShBA-së që ta bindë Rusinë për t’u pajtuar me propozimin “pozitiv”.
Kremlini ka thënë se është duke e analizuar marrëveshjen e mundshme të armëpushimit dhe se mund të zhvillohet një bisedë telefonike mes presidentëve Trump e Putin.
Duke folur krahas kryeministrit irlandez, Micheal Martin, në Zyrën Ovale të mërkurën, Trumpi tha se kishte marrë “mesazhe pozitive” për një armëpushim të mundshëm. “Por një mesazh pozitiv nuk nënkupton asgjë. Kjo është një situatë serioze” – deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Ai nuk saktësoi se cilët zyrtarë amerikanë po udhëtonin drejt Moskës. Megjithatë, sekretarja për shtyp, Karoline Leavitt, tha para gazetarëve se këshilltari për Siguri Kombëtare, Mike Waltz, kishte biseduar me homologun e tij rus.