Mbrëmë rreth orës 23:00, në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur. Sipas ShSKUK’së, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës dhe si pasojë e ngulfatjes, ai ka vdekur, ndërsa janë lënduar pesë persona tjerë.
“Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), njofton se mbrëmë rreth orës 23:00, në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur, ku qëndrojnë pacientët përkohësisht, pacientë në gjendje të agresivitetit dhe agjitimit të theksuar psikomotor, jo koshient për gjendjen mendore. Në të njëjtin Repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngulfatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin”, thuhet në njoftimin e ShSKUK’së.
Për këtë rast, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, në një përgjigje për Gazetën Express, tha se prokurori i shtetit ka urdhëruar që viktima të dërgohet në IML, derisa janë duke u ndërmarrë veprimet hetimore në koordinim me policinë që të ndriçohen rrethanat.
“Lidhur me rastin i cili ka ndodhur mbrëmë në Klinikën e Psikiatrisë të QKUK-së, ju njoftojmë se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda është njoftuar nga Policia e Kosovës për zjarrin e shkaktuar në rrethana të panjohura brenda kësaj Klinike, i njëjti ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e një personi, derisa nga kjo situatë e krijuar disa persona të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore. Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që viktima të dërgohet në IML, për t’iu nënshtruar obduksionit, derisa veprimet hetimore janë duke u ndërmarrë në koordinim me policinë, për t’i ndriçuar rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Ulaj