Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se nuk kanë ndërruar qëndrim sa i përket propozimit të Vetëvendosjes për Albulena Haxhiun kryeparlamentare.
Ai tha se posti i kryeparlamentarit nuk është politik dhe do të duhej të votohej, por tha se nëse Vetëvendosje s’i ka numrat atëherë është dashur që të konsultohet me partitë opozitare për propozimin.
“Kemi thënë që nëse do të ketë kandidat unifikues do të votonim”, tha Haradinaj për gazetarët para Kuvendit.
Për emrat që Haradinaj dha se do të votonin nëse Saranda Bogujevci ose Shqipe Selimi do të propozoheshin, tha se nuk ishte propozim i tyre, por “ndihmesë” meqë Vetëvendosje s’i ka votat.
“Bogujevci ka qenë nënkryetare e kemi parë në udhëheqje të seancave dhe ka qenë korrekte, për ne s’do të ishte problem ta votojmë atë. Ne i kemi propozuar këta dy emra si ndihmesë, e dimë që VV e bënë propozimin. Nëse i kanë votat le ta votojnë kryeparlamentarin s’është problem për ne”.
Haradinaj tha se ky ka qenë menaxhim i keq nga VV që e kanë shtyrë seancën dhe s’kanë ndërmarrë asgjë.
“Vetëm gjysmë ore para seancës i kanë ftuar përfaqësuesit e partive. Nuk është qasje serioze ndaj kësaj teme”.
I pyetur për deputeten Duda Balje nëse i është bashkuar Grupit Parlamentar të AAK-së, Haradinaj tha se s’kanë marrëveshje.
“Duda është e mirëseardhur, por nuk kemi marrëveshje”.