Në një seancë në Gjykatën Themelore në Pejë, familjarët e dy të rinjve Rexhep dhe Albison Shlivova, të vrarë në nëntorin e vitit të kaluar në Klinë, u përballën me të akuzuarin Jon Hoti, i cili pranoi fajësinë.
Dhimbja dhe kërkesa për drejtësi e përshkuan çdo fjalë të tyre, teksa baballarët kërkuan dënim të ashpër për shkak të humbjes së parakohshme dhe të dhimbshme të dy djemve të tyre.
Jon Hoti, gjatë seancës gjyqësore, ka shfaqur pendesë dhe u ka kërkuar falje familjarëve të viktimave.
Përpara gjykatës u deklarua edhe babai i Jonit, Besimi.
Ai tha se djali i tij, Joni, është binjak me djalin tjetër, Drinin. Për Jonin, i ati thotë se ka shfaqur disa herë shenja të ankthit dhe çrregullimeve psikologjike, për të cilat ka refuzuar trajtim mjekësor.
I pyetur nga prokurorja nëse familja Hoti ka pasur ndonjëherë probleme me familjet e dy viktimave, Besimi deklaron:
“Asnjëherë nuk kemi pasë probleme me ta. Viktimat nuk i kam njohur pot prindërit e tyre po, i njoh, dhe realisht kam pasë respekt për ta.”
Babai i Jonit thotë se nuk e di motivin që e ka shtyer birin e tij të kryejë këtë vrasje makabre, duke thënë se nuk është në dijeni se djali i tij ka pasur ndonjëherë problem me viktimat.
Në dëshminë e tij, babai i Jonit thotë se në ditën kritike ka qenë në shkollë në orarin e paradites dhe të pasdites, kurse e shoqja ka qenë në punë. Me të ardhur në shtëpi, Joni ka dalur nga shtëpia.
“…Kam hyrë në një lokal ë quajtur “Qyteza 1968” përballë Komunës së Klinës, aty e kam thirrë një shok të quajtur Prend Zefi dhe jemi ulur për të pirë nga një kafe. Gjatë kohës sa kemi ndejt, unë e kam parë një veturë të policisë dhe kam mëndu në vete që qenka një aksident dhe se e kam shiku se në cilin drejtim po shkon, kah Skenderaji apo kah Istogu. Ndërkohë kur e kam kthyer kokën e kam parë se vetura e policisë është ndalur para lokalit “Inbox” dhe unë nga lkali ku kam qenë ulur kam pasë mundësi me pa…” tha në deklaratë Besimi.
Hoti thotë se mori një mesazh nga i biri, Joni, që shkroi “Babë unë jam në ambulant dhe e bëra një sherr dhe u dorëzova në polici”.
Besim Hoti thotë se më të arritur në shtëpi ka shkuar për të kontrolluar nëse i biri i ka marrë revolen zyrtare.
“Sefi ka qenë i mbyllur, unë jam mundu me hapë me kod, por nuk ka funksionu. Meqenëse çelësin e sefit e kam pasur të vendosur në çelësat e veturës, e kam hapur me çelës të sefit. Kur e kam hapë sefin dhe e kam marrë në dorë fotrollën e armës, e kam parë që arma nuk është aty” tha Hoti, duke shtuar se i biri nuk e ka ditur kodin e sefit ku mban armën zyrtare.
Rexhep dhe Albison Slivova u vranë në nëntor të vitit të kaluar, teksa në seancën e sotme u kërkua 10 vjet ose dënim me burg të përjetshëm për të dyshuarin Jon Hoti