Ish-komandanti i UÇK-së, Daut Haradinaj i ka reaguar këshilltarit politik të kryeministrit Kurti, Hysamedin Feraj, i cili gjatë ditës së sotme në një postim në Facebook tha se “pse Ramushi nuk është vrarë gjatë luftës, por vetëm vëllezërit e tij”.
Daut Haradinaj ka publikuar një fotografi në llogarinë e tij në Facebook, ku shfaqet së bashku me ish-komandantin Avdyl Mushkolaj, teksa i ka “çuar të fala” Ferajt.
“Të fala nga ne të gjallët”, ka qenë mbishkrimi në fotografinë e Haradinajt.
Këshilltari politik i Kurtit, Hysamedin Feraj sot tha se “Ramushi vazhdoi të ankohet pse Serbia nuk e ka vrarë Albin Kurtin në burg, pa dhënë përgjigje pse nuk e ka vrarë Ramushin gjatë luftë por vëllezërit e tij, dhe pse mbas lufte Vuçiqi e dërgoi natën e me urgjencë Listën serbe që ta bëjë Ramushin kryeministër”.
Kjo deklaratë e tij erdhi pasi kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj në një intervistë tha se në burgjet e Serbisë trajtimi nuk ka qenë e njëjtë, ku siç tha ai” disa e kanë pësuar keq, e disa të tjerë nuk janë gjallë, e Kurtit i priu fati që edhe nga atje të jepte intervistë. Tash ne nuk duhet të gëzohemi që Kurti nuk është keqtrajtuar, por nganjëherë po na jep dilema realisht”.