LajmeNdërkombëtare

Danimarka mbyll një tjetër aeroport pas dronëve të dyshimtë

Danimarka ka mbyllur përkohësisht aeroportin e dytë brenda një jave për shkak të pranisë së dronëve të paidentifikuar në hapësirën ajrore. Këtë herë bëhet fjalë për aeroportin e Aalborg, i cili shërben si për fluturime civile, ashtu edhe për ato ushtarake.

Policia konfirmoi se disa dronë me drita aktive janë vërejtur mbi aeroport të mërkurën mbrëma dhe qëndruan në ajër për disa orë. Lëvizjet e tyre ishin të ngjashme me ato që çuan në mbylljen e aeroportit të Kopenhagës pak ditë më parë.

Autoritetet daneze thanë se është ende herët për të përcaktuar se kush qëndron pas këtyre incidenteve, por konfirmuan se hetimet janë intensifikuar dhe po asistohen edhe nga ushtria.

Më pas, policia njoftoi se dronët ishin larguar nga hapësira ajrore e Aalborg-ut, por sinjalizime të ngjashme u raportuan edhe pranë aeroporteve të tjera në Esbjerg, Sønderborg dhe Skrydstrup, ku ndodhen bazat e avionëve luftarakë F-16 dhe F-35 të Danimarkës.

Ngjarjet kanë ngritur shqetësime serioze për sigurinë kombëtare dhe infrastrukturën kritike të vendit. Kryeministrja daneze Mette Frederiksen nuk përjashtoi mundësinë që pas këtyre veprimeve të qëndrojë Rusia, ndërsa presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi se infrastruktura e Europës është në rrezik dhe se “do të ketë përgjigje të vendosur”.

Nga ana tjetër, Kremlini i ka quajtur këto akuza të pabazuara.

Ngjarje të ngjashme me përdorim dronësh janë raportuar kohët e fundit edhe në Norvegji dhe Poloni, ku janë mbyllur aeroporte dhe është përforcuar mbrojtja kufitare nga vendet anëtare të NATO-s.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button