Ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ka thënë se ende nuk ka marrë asnjë ftesë nga gjykata dhe se nuk mund të komentojë mbi një dosje që nuk i është bërë e qasshme. Ai u pyet lidhur me ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”.
“Së pari, ende nuk kam marrë asnjë ftesë. Kështu që nuk mundem të komentoj, sepse nuk e kam lexuar. Kur të më thirrë gjykata, do të paraqitem me plot vullnet. Jam i bindur se nuk kam bërë asnjë shkelje ligjore, asnjë keqpërdorim, asnjë cent të Republikës së Kosovës,” theksoi Damka para hyrjes në Kuvend.
Ai shprehu shqetësimin për faktin se dosja po komentoheshin nga partitë opozitare dhe mediat, ndërkohë që ende nuk është bërë e qasshme për palët e përfshira.
“Është shqetësuese ta elaborojë dosjen një parti opozitare apo mediat, të cilën ende nuk e kemi ne. Faktet dhe dëshmitë do të paraqiten në gjykatë,” shtoi ai.
Damka gjithashtu mbrojti rolin e organizatës “Caritas Zviceran”, një nga organizatat përfituese në projektin për të cilin ai akuzohet.
“Është fatkeqësi të përdoret emri i ‘Caritasit’ zviceran, që është një organizatë qeveritare e Zvicrës, e cila ka kontribuar për 25 vjet në projekte milionëshe në Kosovë. Edhe në këtë projekt ka kontribuar me 1.6 milionë euro. Të gjitha janë transparente,” theksoi ai.