Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, i cili ka reaguar në lidhje me pamfletin anti-UÇK të botuar në vitin 2012 ku ai është bashkautor, ka thënë se ai e ka shkruar vetëm kapitullin e tretë që ka të bëjë me depërtimin e siç thotë ai Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore.
Basha në reagimin e tij ka thënë se ai çmon luftën e UÇK-së dhe nuk ka shkruar asnjëherë kundër saj.
Por cka thotë kapitulli i tretë për të cilin Basha po pretendon se e ka shkruar vetëm këtë.
Në këtë kapitull përmendet roli i lëvizjes salafiste në vend.
“Lëvizja Salafi që është aktualisht aktive në Kosovë, sipas shumë ekspertëve, ka qenë shtysa kryesore për zbatimin e Islamit fundamental në Kosovë. Duket se, si rezultat, sot ka konflikte të shpeshta në rajon midis klerikëve të moderuar myslimanë nga njëra anë dhe klerikëve të trajnuar Salafi që u vendosën në Kosovë pas vitit 1999, nga ana tjetër”.
Në tekst përmendet edhe emri i hoxhës Shefqet Krasniqi, i cili përshkruhet si shembull i produkteve të shkollimit fetar në vendet arabe.
“Shumë nga njerëzit përgjegjës për përhapjen e besimeve të tilla themelore fetare janë individë që janë arsimuar në shkolla fetare në shtete të ndryshme islame (Lang, 2003). Shefqet Krasniqi, për shembull, është një klerik islamik shqiptar i arsimuar në Arabinë Saudite dhe Egjipt. Ai është një shembull i këtyre produkteve saudite dhe ndikimi i tij është rritur vazhdimisht dhe shumë nga vërejtjet e tij krijuan përçarje dhe urrejtje midis komunitetit shqiptar”, thuhet në shkrim.
Në një pjesë tjetër të punimit citohet eksperti amerikan Vali Nasr, i cili shkruan se paralajmëron për ndikimin e shkollave fetare saudite tek gjeneratat e reja të predikuesve.
“Ndikimi i këtyre predikuesve të trajnuar islamik të arsimuar në doktrinën vehabiste paraqet një kërcënim për shumë shoqëri për shkak, siç u përmend më sipër, të besimeve të tyre themelore që destabilizojnë strukturën shoqërore dhe janë shumë të ngarkuara politikisht. Për shembull, Vali Nasr, një profesor i shkencave politike në Universitetin e San Diegos, i specializuar në politikat e ekstremizmit islamik në Azinë Jugore, i tha Frontline në vitin 2001 (PBS) se studentët që mësojnë në shkollat fetare saudite bëhen predikues radikalë që i inkurajojnë ndjekësit e tyre të luftojnë të krishterët dhe përpiqen të rekrutojnë njerëz midis ndjekësve të tyre për të kryer akte terroriste. Studiuesit islamikë gjithashtu pohojnë se pavarësisht faktit se shumë figura politike dhe njerëz të thjeshtë i dënuan aktet e bin Ladenit, ata nuk e dënuan mesazhin e tij (Frontline, 2001)”.