Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit për Haki Belën, Rilind Muratin, Vatan Çakën, Edmond Likën, Shkëlqim Kukën dhe Diamant Gashin si të dyshuar për përfshirje në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik.
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë deklaratat e të pandehurve përpara gjykatës në seancën e së martës, e cila është mbajtur me dyer të mbyllura për publikun.
Që të gjithë të pandehurit deklaruan para gjykatores se ndjehen të pafajshëm lidhur me rastin.
Haki Bela, vëllai i Rejhan Belës i cili dyshohet se është autori i ekzekutimit, deklaroi se ai përshendetet me familjen e policit Lika. Ai pretendon se i vetmi fakt është që lokali i tij është në afërsi të vendit të ngjarjes dhe që i bie ta frekuentojë çdo ditë atë rrugë.
“Ai personalisht e përshëndet familjen e viktimës Muhamet Lika, ndjen keqardhje për rastin që ka ndodhur, por shton se mund të ndodh diçka mes familjes së tij dhe familjes së të ndjerit. Shton se është plotësisht i pafajshëm në lidhje me këtë çështje penale dhe i vetmi fakt është që ai e ka lokalin në afërsi të vendit të ngjarjes dhe atë rreth 200 metra distancë, po ashtu shton se shtëpia ku ai banon me stacioni policor ne Kaçanik i kane rreth 100metra distance, dhe se ai e frekuenton çdo dite atë rruge. Ai personalisht e as familja e tij asnjëherë nuk e kanë pasur ndonjë problem me të ndjerin apo me familjen e tij. Kërkon nga gjykata që mundësisht të i caktoj ndonjë mase tjetër për sigurimin e pranisë së tij në procedure, pasi qe është mbajtës i vetëm i familjes dhe tere ekonomia familjare varet vetëm nga ai, dhe nëse eventualisht gjykata mundet të i caktoje masën e arrestit shtëpiak pasi qe ai punon online nga shtëpia”, thuhet në procesverbalin e gjykatës.
Në anën tjetër, i pandehuri Vatan Çaka ka deklaruar se për rastin ka marrë vesh nga rrjetet sociale dhe se kishte dalë në vendngjarje ta shohë çfarë ka ndodhur. Ai ka pretenduar se nuk mund t’ia bënte një gjë të tillë një veterani të UÇK’së, meqë edhe prindi i tij është veteran.
“I pandehuri Vatan Çaka deklaron: i mbështet deklarimet e avokatit të tij mbrojtës, tjetër nuk ka se çka të deklaron, shton se nuk është absolutisht i involvuar në këtë çështje penale. Natën kritike pasi që ka dëgjuar alarme të shumta të policisë ka shkuar në vend ngjarje vetëm nga kureshtja për te parë se çfarë ka ndodhur aty, pasi që paraprakisht nga rrjetet sociale e ka kuptuar që bëhet fjale për një viktimë, veteran i UÇK-së, gjithashtu shton faktin se këtë e ka bërë sepse e ka prindin veteran të UÇK-së dhe i njëjti ende vuan nga pasojat e traumave te luftës dhe absolutisht ne asnjë mënyre nuk ka mundur të ja bëjë një gjë te tille një ish veterani të luftës së UÇK-së”, ka thënë Çaka.
Në anën tjetër, Edmond Lika ka thënë se ai dhe Shkëlqim Kuka kishin qëlluar rastësisht në vendngjarje.
Rilind Murati e Shkëlqim Kuka s’kanë deklaruar gjë tjetër veçse janë të pafajshëm.
Sipas dosjes, me datë 01.04.2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, përkatësisht në katin e II-të, të hyrjes së ndërtesës, i mituri në bashkëkryerje me madhorët Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamand Gashi, me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta, rreshterin Muhamet Lika, përshkruhet në dosje.
“Viktima pas përfundimit të orarit të punës ora 22:53, rrugës për në banesën e tij, ku i njëjti ishte përcjellur në vazhdimësi nga madhorët deri te hamja e banesës së tij ku pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar duke u ngjitur shkallëve, i mituri Rejhan Bela i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor pas tij hyn edhe i mituri ku me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri, në vend ngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm dhe nga plagët e marra, viktima Muhamet Lika në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik nga ekipet mjekësore është konstatuar vdekja e tij, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit, e pastaj i mituri pas kryerjes së vrasjes ikë nga vendi i ngjarjes në drejtim të lokalit”….” ku bashkohet me të pandehurin Rilind Murati, i cili kishte qenë duke e pritur”, thuhet në dosje.
Sipas dosjes, nga momenti kur i dyshuari ka hyrë në objektin e banesës dhe deri në momentin kur ka dal, sipas pamjeve të kamerave janë regjistruar 47 sekonda.
“…nga momenti i hyrjes së të miturit Rejhan në objekt deri në daljen janë 47 sekonda, pastaj rreth orës 22:58, nga kamerat e sigurisë, vërehet duke u kthyer me vrap mbrapa nga kishte ardhur pas kryerjes
së vrasjes duke ikur në drejtim të lokalit “”Dukagjini”“, përshkruhet në dosje.
Pas sigurimit të provave, në dosje figuron edhe një bisedë mes të dyshuarve për vrasjen e policit, Muhamet Lika.
Sipas dosjes, i dyshuari kryesor për vrasje, Rejhan Bela pasi ka privuar nga jeta policin është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka takuar Rilind Muratin i cili dëgjohet duke i thënë “Bravo Ik”.
“pastaj i mituri pas kryerjes së vrasjes ikë nga vendi i ngjarjes në drejtim të lokalit”….” ku bashkohet me të pandehurin Rilind Murati, i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku largohen përmes rrugës “Mejdi Dalloshi” ku ishin duke vrapuar i mituri dhe i pandehuri dëgjohet një zë duke thënë “Bravo ik”, paraprakisht nga pamjet e kamerave vërehet i mituri Rejhan Bela së bashku me të pandehurit Rilind Murati dhe Vatan Çaka dhe lëvizjet e të pandehurve tjerë”, thuhet në dosje