Kompania amerikane “American Exploration and Mining LLC” do të investojë 800 milionë euro në Kosovë.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, sot ka njoftuar se nga ky investim do të punësohen deri në pesë mijë punëtorë në mënyrë direkt e deri në 20 mijë në atë indirekte. Ai ka shtuar se paga minimale do të jetë 800 euro.
“Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që t’i ofrojë mbështetje dhe gjithçka që është me ligjet e Kosovës, ata kanë ardhur këtu me ligjet që i kemi në fuqi. Ambasada amerikane e ka bërë rekomandimin te Qeveria e Kosovës që të kalojë ky projekt. Ne nuk shohim asnjë dyshim kur ambasada amerikane është këtu.. Ne duam ta shtyjmë këtë projekt para në baza ligjore, nuk duam të na ikin investitorët. Fakti që rreth 40 milionë euro do të jepen për punëtorët e sektorit privat të Kosovës, është kapital i pastër”, tha ai.
Çka dihet për kompaninë?
Kompania “American Exploration and Mining LLC” e cila është kompani në pronësi të veteranëve pozicionohet në kapitalizim përmes ndihmës që u japin vendeve që të përparojnë.
Kjo kompani kërkon për minerale dhe metale të çmuara që siç shpjegohet në një historik të shkurtër në faqen e tyre një gjë e tillë bëhet me qëllim që ti ndihmojnë vendet dhe njerëzit e atyre vendeve siç e përshkruan kompania “të realizojnë asete përtej zotërimit të tyre”.
Misioni i kësaj kompanie është që të ndihmojnë tjerët të përfitojnë nga asetet, të krijojnë vende pune dhe të kenë një ndikim financiar kudo që shkojmë.
Krahas Kosovës, disa nga vendet e tjera që përfshihen në fokusin e kësaj kompanie janë: Bosnja, Shqipëria, Nabia, Afrika e Jugut dhe Uganda.
AEM është pjesë e industrisë amerikane të minierave përmes së cilave sigurohen materialet e nevojshme për ndërtuar telefona, prodhuar makina apo edhe për të modernizuar mjekësinë.