Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka komentuar paraqitjen e sotme në gjykatë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ku Faton Klinaku akuzohet për kanosje.
Çitaku tha se Kurti shkon në gjykatë për një status, kurse siç tha ajo kur bëhet fjalë për aferat milionëshe të vartësve të tij refuzon t’i përgjigjet prokurorisë.
“Pra, A.K. shkon në gjykatë për të dëshmuar kundër Klinakut, “krimi” i të cilit ishte një status në Facebook. Por, kur bëhet fjalë për aferat milionëshe të vartësve të tij, refuzon t’i përgjigjet prokurorisë”.
“Kush ka sy me pa dhe vesh me dëgju, e kupton se situata është më se e qartë”, shkruan ajo.
I akuzuari për kanosje, Faton Klinaku pas seancës së sotme tha se nuk e largon postimin, pasi siç tha ai nuk ka vepër penale.
Klinaku, së bashku me Nuredin Selmanin, akuzohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për kanosje ndaj Kurtit përmes rrjeteve sociale më 30 gusht të vitit 2023.
Sipas aktakuzës, më 30 gusht 2023, Klinaku akuzohet se ka ripostuar një mesazh me përmbajtje kërcënuese ndaj kryeministrit në detyrë.