Në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka përparim real, sepse të dyja palët janë në pritje të rezultatit të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, thotë drejtori ekzekutiv i Organizatës joqeveritare për Analiza Strategjike në Bratislavë, Jan Cingel, për Radion Evropa e Lirë.
Beogradi, shton ai, pret me vëmendje të veçantë edhe rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, që do të mbahen në vjeshtë.
“Serbia beson se administrata e Donald Trumpit do të ishte shumë më e favorshme për të sesa ajo e [presidentit aktual, Joe] Biden, të cilën ajo e percepton si shumë të butë ndaj Prishtinës”, thotë Cingel.
Duke komentuar nismën e Komisionit Evropian që detyrimet nga Marrëveshja e Ohrit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të bëhen pjesë e kornizës së negociatave për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, Cingel thotë se BE-ja po përpiqet qartazi që ta shfrytëzojë kohën e mbetur deri në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në qershor, për të arritur njëfarë përparimi në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ai thotë se kryeministri hungarez, Viktor Orban, mund ta bllokojë propozimin e Komisionit Evropian, për shkak të lidhjeve dhe interesave të tij të ngushta me Serbinë.
Cingel shton se vendimi i autoriteteve të Kosovës për ta hequr dinarin nga qarkullimi është marrë në një moment të pafavorshëm. Sipas tij, Perëndimit po i humb gjithnjë e më shumë durimi me veprimet e Kosovës.