Lajme

Cili ishte shkaku që çoi në aksidentin fatal të tramvajit në Lisbonë?

Zyrtarët portugezë kanë konfirmuar se këputja e kabllos lidhëse mes dy vagonëve ishte shkaku kryesor i aksidentit tragjik të tramvajit “Gloria” në Lisbonë, si pasojë e të cilit humbën jetën 16 persona dhe rreth 20 të tjerë u lënduan.

Sipas raportit të parë, pas vetëm gjashtë metrash udhëtim, kabinat “papritmas humbën fuqinë ekuilibruese të kabllos lidhëse”. 

Autoritetet kanë bërë të ditur se sistemi i sigurisë reagoi menjëherë duke aktivizuar frenat, por këto masa nuk patën efekt: vagoni vazhdoi të përshpejtonte në mënyrë të pakontrolluar dhe doli nga shinat me shpejtësi rreth 60 kilometra për orë, duke u përplasur në një ndërtesë brenda më pak se 50 sekondash.

Hetuesit, sipas raportit preliminar, kanë konstatuar se mekanizmat e tjerë ishin funksionalë. Një inspektim rutinë ishte kryer madje në mëngjesin e ditës së aksidentit, por defekti që solli këputjen e kabllos nuk mund të vërehej pa u çmontuar pajisjet.

“Gloria”, i cili funksionon prej 140 vjetësh dhe është shpallur monument kombëtar, është një prej atraksioneve më të njohura turistike në kryeqytetin portugez. Ai lidh Sheshin Restauradores me lagjen e njohur Bairro Alto, përmes një udhëtimi që zakonisht zgjat tre minuta. Sistemi i “Glorias” përbëhet nga dy tramvaje që lëvizin paralelisht dhe tërhiqen nga kabllo çeliku: kështu, kur njëri zbret, pesha e tij e tërheq tjetrin përpjetë.

Shumica e viktimave ishin turistë të huaj, ndërsa autoritetet portugeze kanë paralajmëruar se hetimet për aksidentin do të vazhdojnë.

Back to top button