Cilat ishin shkaqet e vrasjes në Ferizaj?

Katër plumba që u shkrepën mbrëmjen e së hënës në fshatin Balaj të Ferizajt, nga tashmë i arrestuari B.R, rezultuan fatal për viktimën me inicialet I.R.
Dorasi dhe viktima ishin kushërinj mes vete.
“Për momentin motivet nuk i dijmë sepse është një procedurë që ende nuk i dijmë këto motive të vrasjes mirëpo ajo që dihet është që këta persona janë në lidhje familjare mes vete”, ka thënë prokurori Ismet Rrahmani.
Shkaku i mosmarrëveshjes, sipas burimeve të televizionit, lidhej me një pronë.
Në anën tjetër nga Policia e Kosovës bënë të ditur se person i dyshuar është arrestuar derisa është kryer edhe bastisje.
“Në ditën kritike, pas një fjalosjeje, i dyshuari kishte nxjerrë pistoletën nga brezi dhe kishte shtënë katër herë mbi viktimën. Pas kryerjes së veprës penale, i dyshuari ka thirrur policinë për rastin dhe vendndodhjen e tij. Ai është arrestuar më pas dhe është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj, në Sektorin Rajonal të Hetimeve.”
Në shtëpinë e të dyshuarit, përveç armës që besohet se është përdorur për vrasjen, janë gjetur edhe dy pushkë, ndërsa ai është dërguar në mbajtje për 48 orë, në pritje të procedurave të tjera.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.