Apeli i Speciales ka hedhur poshtë një ankesë të Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, në të cilën pretendonin se trupi gjykues ka treguar anshmëri në disa pyetje të bëra ndaj Sokol Bashotës, përkatësisht se ka marrë rolin e Prokurorisë.
Sipas vendimit, më 4 dhjetor 2024 në seancë kur ishte duke u marrë në pyetje Sokol Bashota, mbrojtja e Veselit kishte kundërshtuar përdorimin e një pjese të intervistës së një dëshmitari nga trupi gjykues, identiteti i të cilit është i redaktuar.
Kjo intervistë ishte realizuar për ZPS-në dhe se mbrojtja e kishte kundërshtuar pranimin e deklaratës së tij, me arsyetimin se Prokuroria kishte deklaruar që nuk kishte qëllim që ta thërriste këtë dëshmitar për të dëshmuar.
Si rrjedhojë, një ditë pas, trupi gjykues kishte hedhur poshtë kundërshtimin e mbrojtjes, ndërsa kjo e fundit më 12 dhjetor kishte paraqitur kërkesë për ta apeluar vendimin.
Ndërsa, më 27 janar 2025, trupi gjykues kishte pranuar dy çështje, ndaj të cilave mund të bëhej ankimimi. E para kishte të bënte nëse futja në proces përmes pyetjeve të trupit gjykues e dëshmisë së një dëshmitari që Prokuroria e kishte përjashtuar nga rasti në mënyrë të shprehur, përbën marrje të padrejtë të rolit të ZPS-së.
Kurse, çështja e dytë ishte sa i përket asaj nëse trupi gjykues ka gabuar duke mos marrë parasysh faktin që mbrojtja nuk mund ta marrë në pyetje autorin e deklaratës, por dëshmia e tij bëhet pjesë e procesit për shkak të pyetjeve gjyqësore.
Mbrojtja kishte kërkuar që Apeli ta rrëzojë urdhrin e trupit gjykues, me pretendimin se provat e dhëna nga W04401 në lidhje me deklaratën e dëshmitarit në fjalë, nuk mund të përdoren.
Veç kësaj, mbrojtja kishte kërkuar që Paneli i Apelit ta mbajë një seancë dëgjimore. Një gjë të tillë, e ka kundërshtuar ZPS-ja, ngjashëm edhe argumentet e mbrojtjes kundër trupit gjykues.
Po ashtu, mbrojtja kishte argumentuar se gjyqtarët edhe në raste të tjera kishin përdorur deklarata të dëshmitarëve që nuk ishin pjesë e çështjes së ZPS-së. Po ashtu, ata kanë thënë se trupi gjykues vazhdimisht bën pyetje që shkaktojnë paragjykim ndaj mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Mbrojtja kishte deklaruar se deri më 20 janar, trupi gjykues kishte shfrytëzuar mbi 84 orë për pyetjet e tyre, gjë që kalonte kohën e shpenzuar nga ekipi i Veselit- mbi 71 orë, e po ashtu atë të Krasniqit që ishte mbi 53 orë.
Si pasojë e pyetjeve gjyqësore, mbrojtja ka argumentuar se iu janë dashur pyete shtesë atyre rreth 36 orë, ndërsa rreth 14 minuta janë shfrytëzuar nga ZPS-ja.
“Mbrojtja deklaron se natyra dhe shtrirja e pyetjeve gjyqësore kanë ndryshuar rrjedhën e gjykimit, kanë ndikuar negativisht të drejtat e të akuzuarve dhe kanë tërhequr interesin e mediave në Kosovë. Paneli vëren se kjo çështje, si dhe çështje të tjera lidhur me pyetjet gjyqësore, janë hedhur poshtë ndërkohë nga trupi gjykues”, thuhet në vendim.
Megjithatë, Apeli thotë se këto çështjet e fundit bien jashtë fushëveprimit të çështjeve që janë lejuar që të ankimohen dhe si rezultat refuzon t’i shqyrtojë këto pretendime të fundit të mbrojtjes.
Por, paneli ka thënë se rregullat nuk vendosin kufizime në lidhje me temën e pyetjeve që trupi gjykues mund t’ua bëjë dëshmitarëve. Po ashtu, sipas Apelit, pyetjet e gjyqtarëve mund të përfshijnë çështje që nuk janë ngritur nga palët dhe fakte përtej atyre që janë përmendur në aktakuzë.
Por, këto pyetje sipas Panelit mund të lejohen për aq sa kohë nuk krijohet paragjykim ose dëmtim apo cenim i të drejtave të të akuzuarve.
Sipas vendimit, paneli në këndvështrimin e tij ka thënë se Apeli i mbrojtjes nuk ka të bëjë nëse është e lejueshme që trupi gjykues të merrte në pyetje Bashotën duke lexuar deklaratën e një dëshmitari që ZPS-ja e ka hequr nga lista. Por, sipas tyre ka të bëjë nëse trupi gjykues duke vepruar kështu ka krijuar përshtypjen e paragjykimit duke i shkaktuar dëm ose në një mënyrë ka cenuar të drejtat e të akuzuarve.
Mbrojtja kishte pretenduar se iu pamundësua që ta merrte në pyetje dëshmitarin, dëshmia e të cilit u përdor për pyetje nga trupi gjykues, në mënyrë që ta testonte besueshmërinë dhe vërtetësinë e deklaratave të tij.
Mbrojtja kishte thënë se çdo koment i Bashotës mbi deklaratat e këtij personi, do të ishin spekulime të palejueshme dhe pa ndonjë vlerë provuese.
Ata kanë thënë se janë në një pozitë më të pafavorshme sesa do të kishte qenë nëse ZPS-ja do ta mbështeste rastin e saj me deklaratën e atij personi, pasi që do të ishte mundësia që ai ta korrigjonte, qartësonte ose edhe ta ndryshonte deklaratën e tij.
Veç kësaj, mbrojtja kishte thënë që nuk ishte në dijeni që deklarata e këtij personi vazhdonte të ishte pjesë e çështjes së Prokurorisë. Megjithatë, mbrojtja kishte theksuar se meqë ZPS-ja ka vendosur që të mos mbështetet në këtë deklaratë, atëherë si e tillë ajo është e papranueshme dhe si rrjedhojë ata do të përgatiteshin mbi bazën që deklarata s’do përdorej.
Mbrojtja kishte shtuar se ZPS-së nuk do i lejohej që ta paraqiste këtë deklaratë përballë dëshmitarëve të saj dhe se as nuk do ishte e drejtë që trupi gjykues të bënte të njëjtën gjë.
ZPS-ja kishte pranuar se ky person ishte hequr nga lista e dëshmitarëve të saj, por kishte thënë se kjo nuk ia ndalon trupit gjykues që t’i bëjë pyetje ndonjë dëshmitari tjetër ose për t’i kërkuar që të komentojë.
ZPS-ja kishte pranuar gjithashtu se ajo deklaratë nuk ishte kërkuar asnjëherë që të pranohet në prova dhe se trupi gjykues thjesht e ka cituar, e që nuk nënkupton qëllimin e mbështetjes në të.
Gjithashtu, ata kanë theksuar se është keqkuptim pretendimi i mbrojtjes së është paragjykuar në këtë rast. Si rrjedhojë, ZPS-ja kishte thënë se e vetmja pikë që buron nga deklarata e këtij personi ishte nëse vetë Bashota kishte kontakte me LPK-në jashtë vendit gjatë ’93-ës dhe ’94-ës.
ZPS-ja ka theksuar se Bashota e ka konfirmuar një gjë të tillë edhe herë të tjera pa iu referuar ndonjë deklarate, e po ashtu edhe kur u ballafaqua me deklaratat e Rexhep Selimit për ZPS-në.
Si rrjedhojë, Apeli ka vlerësuar se korniza ligjore e DhSK-së nuk vendos kufizime mbi përmbajtjen e pyetjeve të gjyqtarëve ndaj dëshmitarëve dhe se mbrojtja e ka pasur në posedim shumë më herët deklaratën e këtij dëshmitari, ka pasur mundësinë që të përgatitet e po ashtu edhe ta pyes Bashotën lidhur me pretendimet që kanë dalë.
Në anën tjetër, Apeli është pajtuar me pretendimin e mbrojtjes se kundërpyetjet shtesë ndaj Bashotës nuk e kishin dhënë mundësinë që të testohej kredibiliteti dhe besueshmëria e deklaratës së personit dhe se çdo koment i Bashotës mbi atë deklaratë do të ishte spekulativ.
“Megjithatë, për arsyet e zhvilluara më poshtë, Paneli nuk është i bindur se, me këto argumente, mbrojtja ka treguar se ka pësuar një paragjykim real si pasojë e pyetjeve gjyqësore drejtuar W04401”, thuhet në vendim.
Apeli ka thksuar se pyetjet e gjyqtarit Guénaël Mettraux ishin për ta testuar besueshmërinë e Bashotës dhe jo dëshmitarit tjetër. Por, sipas tyre mbrojtja nuk ka arritur të dëshmojë se mosmundësia për ta marrë në pyetje atë dëshmitar i ka shkaktuar dëm të pandehurve. Si rrjedhojë, është edhur poshtë kjo pikë e ankesës së mbrojtjes.
Në pikën tjetër, mbrojtja kishte argumentuar se duke futur prova inkriminuese në proces në formën e deklaratave të papranueshme të një dëshmitari, gjyqtarët po marrin rolin e Prokurorisë, e cila është përgjegjëse për hetim dhe ndjekje penale. Si rrjedhojë, është krijuar perceptimi i anshmërisë.
Sipas mbrojtjes, pyetjet e gjyqtarëve ishin inkriminuese dhe të synuara për të forcuar çështjen e ZPS-së dhe se kjo përbën abuzim me diskrecionin gjyqësor.
Ndërsa, Prokuroria ka thënë se Apeli nuk është i thirrur që të vendos nëse ajo që ka ndodhur në seancën e 4 dhjetorit 2024, paraqet anshmëri ose jo. Po ashtu, ata thonë se pyetjet e gjyqtarëve nuk e kanë marrë rolin e ZPS-së pasi vetë ata kanë kompetencë që të zgjidhin çdo mospërputhje që lind në dëshmi.
“Nuk është detyrë e Panelit të Apelit të vlerësojë nëse prova e kontestuar ishte inkriminuese; edhe nëse do të ishte, kjo nuk do të përbënte vetvetiu anshmëri, pasi vlerësimi duhet të përqendrohet në natyrën e pyetjeve gjyqësore, jo në përmbajtjen e përgjigjeve”, thuhet në vendimin Apelit.
Sipas Apelit, konfrontimi i Bashotës me deklarata shërbeu për të sqaruar dëshminë e tij dhe se trupi gjykues nuk sugjeroi pyetje dhe as nuk ia ndihmoi Prokurorisë çështjen e saj.
Sipas tyre, pyetjet nuk tregojnë anshmëri dhe mbrojtja nuk ka arritur të dëshmojë se ka pasur anshmëri nga gjyqtarët.
“Në përfundim, Paneli vlerëson se argumentet e mbrojtjes lidhur me pohimin se Paneli Gjyqësor “uzurpoi në mënyrë të padrejtë dhe të papërshtatshme rolin e ZPS-së” përmes pyetjeve ndaj W04401 mbi deklaratën e [E REDAKTUAR] janë të pabazuara”, thuhet në vendim.
Ndryshe, Prokuroria më 15 prill 2025 ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi/