Një nga premtimet më të mëdha sa i përket rregullimit infrastrukturor në vend padyshim se ishte autostrada Prishtinë- Gjilan – Dheu i Bardhë.
Por nisja e punës në këtë autostradë padyshim se kishte rritur edhe besimin e qytetarëve që të afrohen sa më shpejtë të gjithë atyre që jetojnë në Prishtinë e deri në Luginë.
E për të përfunduar punimet në këtë autostradë është paraparë që çmimi i kontraktuar të jetë rreth 88 milionë euro.
Lidhur me zhvillimet në kuadër të ndërtimit të kësaj autostradë, lajmi.net ka kontaktuar Ministrinë e Infrastrukturës.
Sipas MI-së punimet janë duke u zhvilluar në segmentet e rrugës Banullë-Bresalc në një gjatësi prej 22.37 kilometra.
Punimet në këtë anë theksohet të jenë kryer në gërmime, mbushje, punimin e strukturave të betonit, largimin e ujërave nga rruga, sigurimi i skarpateve dhe mureve mbrojtëse me beton dhe gabione.
E për vonesat të cilat janë bërë në kuadër të ndërtimit të kësaj autostradë sipas ministrisë problem më së shumti ka shfaqur çështja e shpronësimit.
“Punimet janë duke u zhvilluar në segmentet e rrugës Banullë-Bersalc në gjatësi 22.37 km janë punuar në gërmime, mbushje, punimin e strukturave të betonit, largimin e ujerave nga rruga, sigurimi i skarpateve dhe mureve mbrojtëse me beton dhe gabione.
Në segmentin e projektuar të autoudhës 47 km janë kontraktuar 22.37 km. Në këtë pjesë të kontraktuar janë duke u zhvilluar punime në të gjitha (lotet e kontraktuara në disa pjesë janë punuar edhe asfaltuar segmente të caktuara”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
E sipas MI-së punimet në këtë autostradë janë duke u kryer në kuadër të kontratës dhe kushteve të parapara me të.
“Kontratat janë të planifikuara sipas planeve dinamike veç e veç sipas loteve, por bazuar në pengesat e shpronësimeve janë riformatizuar planet dinamike deri në eliminimet e pengesave dhe pagesave të pronave pronarëve të vendnumërimit te Autoudhës. Çmimi i ndërtimit të Autostradës i kontraktuar ka qenë përafërsisht 88 mil. euro. Punimet janë duke u ndërtuar sipas kontratës dhe kushteve të kontratës”, u shtua tutje në përgjigje.
Përpos shpronësimit sipas ministrisë probleme u shfaqën edhe shkaku i buxhetit të mangët ndër vite, e që punët pritet të përmbyllen pasi që të eliminohen që të gjitha pengesat.
“Shkaqet e zgjatjes janë pengesat pronësore juridike të percjellura me gabime në projektin kryesor dhe mos pagesa e pronave me kohë si dhe buxheti i mangët në vite janë faktorët kryesor deri me tani.
Punët do të përmbyllën pasi që të eliminohen të gjitha pengesat e sipër cekura”, u tha nga Ministria e Infrastrukturës.
Duhet përkujtuar që në kuadër të ndërtimit të kësaj autostrade pati ankesa të shumta nga banorët e fshatrave përgjatë rrugës magjistrale Prishtinë-Gjilan.
Pengesa të shumta iu shfaqën gjatë shpronësimit, por edhe dëme që zgjatën për kohë të gjatë në kuadër të rrugëve.
Një nga fshatrat që për shumë kohë pati probleme me asfaltimin e rrugës së dëmtuar ishte edhe fshati Gllamë.
Banorët e kësaj ane deri vonë mezi kaluan shkaku i këtyre problemeve të shfaqura, e ku ka pak javë që është kryer edhe asfaltimi.
Ndërtimi i autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë kaloi në kuadër të disa qeverive, asaj të Haradinajt, Qeverisë së LDK-së, por edhe të Qeverisë Kurti I dhe Kurti II, e pavarësisht gjithë këtyre ndryshimeve qeverisës, autoudha vazhdon të mbetet thuajse ende në fillimet e punës.