Edhe pse kanë kaluar shtatë muaj që nga miratimi i termave të referencës për Komisionin e Përbashkët për Personat e Zhdukur, Bashkimi Evropian ende nuk ka arritur t’i ulë në një tryezë përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë.
Sipas marrëveshjes, delegacionet e të dyja vendeve është dashur të takohen një herë në muaj gjatë gjashtëmujorit të parë por një gjë e tillë nuk ka ndodhur as për kaq kohë. Megjithatë, një takim bilateral ndërmjet grupeve punuese të të dyja vendeve është mbajtur javën e kaluar në Gjenevë, i pari i këtij lloji pas më shumë se katër vitesh, ku kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të BE-së.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, e sheh këtë takim si hap të rëndësishëm drejt një takimi zyrtar në Bruksel dhe se sipas tij, BE-ja tashmë e ka të qartë çështjen e personave të zhdukur dhe se duhet ta thërrasë sa më parë një takim të Komisionit të përbashkët.
“Kryesuesi i këtij takim të Bashkimit Evropian është Peter Sorensen ose dikë kënd e delegon ai. Është një Komision i përbashkët. Këtu është ajo kërkesa që ne e kemi bërë që presioni i BE-së të kalojë mbi Serbinë dhe përmes këtij mekanizmi ata nëse duan munden të realizojnë”, tha Hoti, raporton RTK.
Në anën tjetër, Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ka thënë se vetë fakti i
mosmbajtjes së një takimi të vetëm brenda 6 muajsh në Bruksel është për keqardhje dhe tregon për politikën që Serbia përdor në çështjen e personave zhdukur.
“Ende çështja e personave të zhdukur trajohet si çështje politike e jo humanitare. 6 muaj me radhë ende nuk është dakorduar të mbahet një takim i përbashkët siç është paraparë dhe kjo tregon se marrëveshja nuk është duke u zbatuar”, tha Blakaj.
Në takimin e grupeve punuese të mbajtur javën e kaluar në Gjenevë, sipas Hotit, nuk ka qenë kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur në Serbi, Veljko Odaloviq, për të cilin Qeveria e Kosovës kishte insistuar që ky person nuk duhet të jetë në krye të këtij Komisioni.
“Odaloviq nuk ka qenë i pranishëm në takimin që është mbajtur javën e kaluar në Gjenevë, unë kam qenë me zevëndësuesen që është zëvendësuar prej Serbisë”, shtoi Hoti.
Qeveria e Kosovës muaj më parë i kishte dërguar edhe një letër përfaqësueses së lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të BE-së, Kaja Kallas, për të marrë hapa të qartë që e detyrojnë Serbinë t`i hapë arkivat shtetërore.