Cakolli: Qasja provokuese e Listës Serbe duhet adresuar në PZAP

Përfaqësuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Eugen Cakolli, ka reaguar pas deklaratave të nënkryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka kritikuar shoqërinë civile për mungesë reagimi ndaj gjuhës fyese dhe nxitëse të përdorur nga Lista Serbe në hapjen e fushatës zgjedhore.
Cakolli thekson se fushatat e Listës Serbe pothuajse gjithmonë janë ndërtuar mbi retorikë provokuese dhe gjuhë fyese ndaj institucioneve të Kosovës, ndërsa këtë herë kjo u pa qartë përmes një baneri me emrin “Milan”, që sipas tij lidhej me kryeterroristin Milan Radoiçiq.
Sipas tij, mënyra se si ishte paraqitur emri në atë baner synonte të krijonte dykuptimësi, duke u justifikuar më pas se bëhej fjalë për kandidatin e Listës Serbe për kryetar komune, i cili mban të njëjtin emër.
“Kjo çështje mund dhe duhet të adresohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Atje, Lista Serbe ose do të detyrohet të distancohet publikisht nga emri i Radoiçiqit, duke e lidhur qartë përdorimin e emrit ‘Milan’ me kandidatin e tyre, ose do të gjobitet rëndë. Ose edhe të dyja bashkë”, ka shkruar Cakolli.
Ai shton se për ta fituar këtë rast, qasja e duhur është ndjekja e procedurave ligjore të ankesës, e jo akuzat ndaj shoqërisë civile. “Përfaqësuesit e partisë në pushtet, në vend që të akuzojnë shoqërinë civile për ‘mosreagim’, duhet të ndjekin procedurat ligjore të ankesës. Për këtë u kanë mbetur edhe rreth 24 orë të afatit ligjor”, thekson Cakolli.
Ky reagim vjen pas kritikave të nënkryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila më herët në një postim në Facebook ka thënë se shoqëria civile po hesht përballë fyerjeve të Listës Serbe, ndonëse kishte reaguar kur Lëvizja Vetëvendosje kishte kundërshtuar certifikimin e këtij subjekti politik në zgjedhjet parlamentare por edhe këto lokale.