Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka deklaruar se ideja që zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të mbahen në të njëjtën ditë është e papërgjegjshme dhe rrezikon të dëmtojë seriozisht cilësinë e procesit zgjedhor dhe përfaqësimit demokratik.
Në një postim në rrjetin social Facebook, ai ka deklaruar se partitë politike po kërkojnë një zgjidhje të tillë, sipas tij, për krizën që e kanë shkaktuar vet.
“Tri fletëvotime për çdo qytetar, tri nivele kandidatësh, procedura të ndërlikuara, komisionarë të papërgatitur, ngarkesë për trupat menaxhuese të zgjedhjeve, dy lloj fushatash – dhe mbi të gjitha, paqartësi e madhe për votuesin. Për më tepër, rriten gjasat për gabime “teknike”, vota të pavlefshme, kontestime dhe rinumërime të gjata”.
“Ky skenar nuk po shtyhet përpara sepse është i arsyeshëm, por sepse partitë politike, e sidomos partia e parë, po kërkojnë një “zgjidhje” për krizën që vetë e kanë krijuar. Në vend që të merren vesh mbi bazën e mandatit të fituar më 9 shkurt, po orientohen drejt një formule që përzien dy procese të ndara, vetëm për të krijuar një rifillim artificial”, ka thënë Cakolli.
I njëjti ka deklaruar se zgjedhjet janë mjet i demokracisë – por nuk mund dhe nuk duhet të përdoren për të zëvendësuar përgjegjësinë politike.