Eugen Cakolli i KDI-së ka reaguar pas dështimit për herë të shtatë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se Kuvendi po tallet me qytetarët.
Sipas tij, deputetët s’kanë as ngutje e as vullnet për të zgjidhur këtë ngërç.
Tutje ai shkruan se shfaqja teatrale vazhdon me aktorët e njëjtë dhe rolet e njëjta.
Postimi i Cakollit:
Kuvendi vazhdon të tallet, jo vetëm me veten, por edhe me qytetarët.
Edhe sot, një të dielë, një tjetër seancë për pesë minuta “punë” – pa asnjë ndryshim real. Me shumicën e deputetëve që vonohen pa asnjë ndjesi urgjence, sepse nuk kanë as ngutje, as vullnet për ta zgjidhur ngërçin.
Në këtë cikël absurd, të gjithë e dinë se publiku është lodhur nga papërgjegjësia politike. Prandaj, kur të ketë vërtet vullnet për marrëveshje, ajo nuk do të ndodhë rastësisht në sallë e as papritur në ditën e seancës.
Nëse vjen marrëveshja, ajo do të paraprihet nga sinjale të qarta – deklarata të reja, ton tjetër, narrativë e ndryshuar – veçanërisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Qoftë për formimin e institucioneve, qoftë për shkuarjen në zgjedhje.
Deri atëherë, shfaqja teatrale vazhdon. Me aktorët e njëjtë, rolet e njëjta dhe një fund të njohur. Fatkeqësisht, edhe me spektatorë që ende presin fund tjetër – nga e njëjta kastë dhe i njëjti skenar.