Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa-Caka-Nimani, ka adresuar kritikat ndaj institucionit që drejton lidhur me vonesat në trajtimin e rasteve. Caka-Nimani tha se mesatarja e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese është më e mira në rajon.
“Dy çështje sa u përket pretendimeve që ndërlidhen me vonesat në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, e para mesatarja e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, pra shpejtësia e trajtimit të rasteve dhe e dyta detyrimi për të balancuar shpejtësinë me kualitetin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Më lejo të them që mesatarja aktuale e vendimmarrjes në Gjykatë Kushtetuese është afërsisht tetë muaj, dhe kjo është mesatarja më e mirë në rajon dhe më gjerë. Në rajon mesatarja sillet prej 10 deri në 24 muaj, mesatarja e vendimmarrjes në GJEDNj është përafërsisht tri vite, mesatarja e vendimmarrjes në GJDBE është afërsisht 16 muaj”, tha Caka-Nimani.
Caka-Nimani tha se megjithatë ka përjashtime, të cilat varen nga vëllimi dhe kompleksiteti i rastit.
“Në raste të caktuara Gjykata Kushtetuese është vonuar më shumë se tetë muaj, do u jap dy shembuj, rasti i parë që ka pasur vonesë së paku dy vite ka qenë shqyrtimi i kushtetutshmërisë së ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti në të cilin gjykata ka gjetur shkelje në kontekst të aplikimit të ligjeve diskriminuese të viteve të 90-ta, dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës që s’kanë mundur të arrijnë afatin 15 vjeçar të përcaktuar në ligj, sepse janë dëbuar dhunshëm nga puna, ky aktgjykim ka pasur kontestuese efektet e tij dhe analiza e thellë e përcaktimit të këtyre efekteve në përputhje me parimin e sigurisë juridike na ka marrë më shumë kohë. Rasti tjetër është rasti për byronë shtetërore, ky është një prej ligjeve më komplekse, voluminoze dhe të rëndësishme që Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar në historinë e ekzistencës së saj”, tha Caka-Nimani. /KlanKosova/