Ajo që do të ndodhë të martën në Berlin do të ndikojë në tërë të ardhmen e mbrojtjes së Evropës dhe në përkrahjen e saj të vazhdueshme për Ukrainën, paralajmëron korrespondenti i BBC-së për fushën e sigurisë, Frank Gardner.
Kuvendi i Gjermanisë, Bundestagu, do të votojë për atë nëse do të rriten shpenzimet në fushën e mbrojtjes. Kjo do të mund ta hapte rrugën për shtim masiv të investimeve në ushtri, pikërisht në kohën kur Rusia po shënon fitore territoriale në Ukrainë dhe kur Uashingtoni po sinjalizon se Evropa nuk mund të mbështetet më në mbrojtjen nga ShBA-ja, raporton televizioni BBC.
“Ky votim në Bundestag është absolutisht vendimtar” – thotë profesoresha Monika Schnitzer, e cila e drejton Këshillin e Ekspertëve Ekonomikë të Gjermanisë.
“Pas Konferencës së Munihut për Sigurinë, pastaj grindja Trump – Zelensky, Evropa e mori një thirrje zgjimi. Për herë të parë, evropianët mund të mos jenë në gjendje që të mbështeten tek Uashingtoni. Shumë njerëz patën net pa gjumë pas kësaj” – shtoi ajo.
Shpenzimet e Gjermanisë në mbrojtje u rritën për 23,2 për qind vitin e kaluar, duke ndihmuar në shtimin rekord prej 11,7 për qind në mbrojtjen e Evropës.
Kancelari në ardhje i Gjermanisë, Friedrich Merz, është në garë kundër kohës. Përbërja e re e Bundestagut mblidhet më 25 mars dhe jo të gjithë deputetët janë pro tërë këtyre shpenzimeve, sidomos në mbrojtje.
Edhe partia e së djathtës ekstreme, AfD, edhe partia e së majtës ekstreme, Linke, janë zotuar se do të dalin kundër planit për rritjen e shpenzimeve. Legjislacionit i nevojiten dy të tretat e votave për t’u miratuar, prandaj Merz-i ka gjasa më të mira që kjo të ndodhë të martën, nën përbërjen e vjetër të Bundestagut, ndërsa masat duhet të miratohen më pas edhe nga dhoma e lartë e Kuvendit.