Komuna e Podujevës ka arrit të fillojë realizimin e rreth 50 për qind të projekteve të premtuara gjatë fushatës parazgjedhore. Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se fal angazhimit të madh të ekipës së tij kanë arritur që të tejkalojë parashikimin e të hyrave të Komunës për 1.5 milion euro më shumë se projeksionet që i kanë pasur për këtë vit.
“Premtimet që i kemi bërë gjatë fushatës sonë zgjedhore, nga përafërsisht 61 premtime të cilat i kemi dhënë për qytetarët tanë në vitin e parë të qeverisjes sonë, kemi arrit ti fillojmë rreth 31 projekte të ndryshme”, tha Bulliqi, në një intervistë për “Indeksonline”.
Ai ka treguar se cilat projekte kanë filluar të realizohen, si ndërtimin e zonës industriale, ndërtimin e urgjencës së qytetit të Podujevës e cila kap vlerën mbi 1.6 milion euro.
“Pritet këto ditë shpejt fillimi i punimeve në ndërtimin e Stacionit të Autobusëve që po ashtu është projekt milionësh. Jemi në fazën e dytë të rregullimit të rrugës së Skënderbeu që po ashtu është një projekt që kalon vlerën milionëshe dhe po ec puna jashtëzakonisht mirë. “, tha Bulliqi.
Po ashtu ai tha se kanë ndërtuar edhe çerdhen publike e cila për 22 vite nga qeverisja e kaluar ka mbet e papërfunduar dhe se këto ditë pritet që të bëhet përurimin i objektit.
“I kemi edhe dy çerdhe tjera të cilat janë në fazën parapërgatitore për me mund me fillu. Tash këto ditë besoj që do ta prejm shiritin e ndërtimit të shkollës fillore në fshatin Ballovc dhe kemi filluar ndërtimin e objektit të shkollës fillore në fshatin Lluga dhe në fshatin Peran. “, tha Bulliqi.