Lajme

Bujar Hoxha kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj Mefail Shkodrës – Prokuroria Speciale thotë se s’kishte dëshmi për caktim të paraburgimit

Dje në Gjilan, Mefail Shkodra bashkë me dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra dyshohet se i kanë vrarë tre persona dhe e kanë plagosur rëndë një tjetër.


Viktimat e këtij rasti janë babë e bir, Selami dhe Edmond Hasani si dhe Abedin Hoxha, ndërsa i plagosur ka mbetur Bujar Hoxha.

Mefail Shkodra, i dyshuari kryesor i këtij rasti siç ka thënë dje prokuri i rastit ka kryer disa vepra penale.

“Personi i dyshuar që ka kryer veprën penale ka precedent penal. Ka raste për sulm, prishje e rendit, fajde, mashtrim, kërcënim, shantazh, detyrim. Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, ka treguar Prokurori i rastit.

Në Prokurori Speciale ka paraqitur kallëzim penal ndaj tij më 25 prill të këtij viti, vetë Bujar Hoxha, personi që ka mbetur dje i plagosur, por që në këtë rast, Prokuroria nuk ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Nga Prokuroria Speciale për lajmi.net kanë thënë se nuk e kanë paraqitur këtë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pasi në fazën fillestare të procedurës kanë qenë të nevojshme ndërmarrja e veprime të tjera hetimore me qëllim verifikimin e pretendimeve dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

“Sipas ligjit, paraburgimi mund të kërkohet dhe të caktohet vetëm kur ekzistojnë prova të mjaftueshme dhe plotësohen kushtet ligjore të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale. Për më tepër, bazuar në raportet e Policisë, pas përfundimit të planit operativ, kontrollit të pronave të dyshuar, si dhe pas intervistës se të dyshuarve dhe ankuesit, nuk është pranuar asnjë informacion apo dëshmi që do të tregonte se ankuesi apo ndonjë anëtar i familjes së tij kanë qenë të kërcënuar nga ana e të dyshuarve”, ka thënë Prokuroria Speciale.

Prokuroria gjithashtu ka sqaruar se në rastin e parë, Mefail Shkodra dhe djali i tij Edonis Shkodra kanë qenë në paraburgim për katër muaj për disa vepra penale, përfshirë fajden dhe detyrimin.

“Pas propozimit të avokatëve mbrojtës për zëvendësimin e masës me dorëzani në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e njëjta propozimin e tillë e ka përcjell për vlerësim në Prokurori. PSRK-ja pas analizimit të kërkesës, ka dhënë propozimin për ndryshimin e masës së sigurisë, dhe Gjykata ka vendosur zëvendësimin e masës, pasi është vlerësuar se nuk ekzistonin më kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit”, kanë thënë nga Prokuroria Speciale.

Mefail Shkodra, Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra janë në arrati që nga dje dhe po kërkohen nga Policia e Kosovës ndërkaq ende nuk ka ndonjë gjurmë prej tyre.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button