Dëshmitari Shukri Buja deklaroi në Hagë se në rast që kanë ndodhur sjellje joadekuate të ushtarëve ndaj civilëve, nuk ka pasur organe të hetuesisë në UÇK ose gjykata për t’u marrë me çështje të tillë.
“Ndonjë masë disiplinore mund të jetë trajtuar, por për shkelje të tjera nuk kemi pas asnjë kompetencë si Zonë Operative e luftës. S’kemi pas mekanizma, s’ka pas gjykatë, s’ka pas hetuesi ose organe të drejtësisë. Unë e potencova atë Rregulloren dhe nëse ka pas shkelje disiplinore ne kemi mujt me marrë masa deri në atë shkallë sa ka qenë mundësia rregullative për me marrë masa si komandë e zonës”, tha Buja.
Kjo deklaratë e ish-komandantit Buja erdhi pasi prokurori James Pace pyeti dëshmitarin se a e di nëse ndonjë ushtar i UÇK-së në Zonën e Nerodimes të jetë hetuar nga UÇK-ja për mënyrën se si ka trajtuar ndonjë civil, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Tutje, ai u pyet nëse UÇK-ja ka hetuar ose shqiptuar ndonjë dënim në raste të keqtrajtimeve që kanë mundur të ndodhin gjatë luftës.
“Unë nuk besoj që kanë mujt me hetu sepse nuk ka pas mekanizëm për të hetuar…”, tha ndër tjerash Buja, duke përmendur se nuk kanë pasur gjykatë e as hetuesi.
Me kaq përfunduan pyetjet e ZPS-së për këtë dëshmitar, megjithatë vazhduan diskutimet për pranimin e provave materiale.