Shkruan Elisa S. Hajrullahu, psikologe klinike
Ngjarja tronditëse ku një foshnje e porsalindur u braktis në një qese të zezë dhe u gjet pa shenja jete, ka tronditur thellë opinionin publik.
Është një ngjarje që nuk mund të kalohet thjesht si lajm i radhës. Është një alarm i fortë për gjendjen e shëndetit mendor, për mungesën e ndërgjegjësimit dhe për dështimin kolektiv për të mbështetur gratë në momentet më të brishta të jetës së tyre.
Si psikologe klinike, e ndjej të nevojshme të theksoj se pas një akti kaq të dhimbshëm, shpesh qëndron një histori e padukshme – e ngarkuar me dhimbje psikologjike, çrregullime të padiagnostikuara, izolim social dhe mungesë totale të ndihmës.
Çrregullime si depresioni pas lindjes apo psikoza post-partum janë realitete të rënda, që mund të ndikojnë thellësisht në aftësinë e nënës për të marrë vendime të arsyeshme dhe për të ndjerë lidhje emocionale me foshnjën.
Kur këto nuk trajtohen në kohë, rreziku është real – për nënën dhe për foshnjën. Kjo nuk është vetëm një çështje penale – është një pasqyrë e brishtësisë sonë si shoqëri. Kur një grua arrin në pikën ku mendon se nuk ka asnjë rrugë tjetër, atëherë është sistemi që ka dështuar: familja, institucionet, sistemi shëndetësor, edukimi dhe mbështetja sociale.
Të flasim për këtë rast është më shumë se analizë. Është thirrje. Është detyrë. Duhet të ndërtojmë një kulturë që nuk turpëron nënat për ndjenjat e tyre të vështira pas lindjes, por i dëgjon dhe i udhëzon drejt ndihmës profesionale.
Duhet të forcojmë qasjen në shërbimet e shëndetit mendor dhe t’i trajtojmë këto çrregullime si urgjenca të vërteta, jo si dobësi personale. Në zemër të kësaj tragjedie është një jetë e pafajshme që nuk pati mundësinë të jetojë.
Por pas saj, qëndron një dështim më i gjerë – ai i një sistemi që nuk arriti të njohë, të ndihmojë dhe të parandalojë. Nuk është e mjaftueshme të shprehim tronditje. Duhet të veprojmë. Të ndryshojmë mënyrën si flasim për nënat në krizë, si i mbështesim dhe si e kuptojmë shëndetin mendor si pjesë të pandashme të shëndetit publik. Sepse vetëm atëherë, tragjedi të tilla nuk do të përsëriten.