Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka shpërndarë një fotografi me gjashtë ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në një postim në “X”, Borrell ka thënë se vendi i Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.
Ai ka thënë se duan të avancojnë integrimin e rajonit, duke përfshirë politikën e jashtme dhe atë të sigurisë.
“Kryesimi i takimit ministror BE- Ballkani Perëndimor këtë mbrëmje me 6 ministrat e rajonit. Duam të avancojmë integrimin e rajonit në vendimmarrjen tonë, duke përfshirë politikën e jashtme dhe të sigurisë – tashmë përpara anëtarësimit. Vendi i Ballkanit Perëndimor është në BE”, ka shkruar Borell.
Ky është takim tradicional, ku mori pjesë edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila tha para takimit se Kosova është partnere e përkushtuar e Bashkimit Evropian.
Borrell tha se takimi i ministrave të Jashtëm me ata të Ballkanit Perëndimor, dëshmon se sa i rëndësishëm është ky rajon për bllokun.
Takimi u zhvillua disa ditë pasi Komisioni Evropian miratoi dhe publikoi paketën e zgjerimit dhe raportet vjetore të progresit.
Në to vlerësohet bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve të shteteve të rajonit me BE-në në fushën e politikës së jashtme, me përjashtim të Serbisë dhe në një masë edhe të Bosnje e Hercegovinës, pasi këto dy vende kanë nivel më të ulët të përshtatjes me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme.