Bomba tymuese, shpërthime të forta dhe gaz lotsjellës – policia sulmon protestuesit në Novi Sad

Në disa qytete në mbarë Serbinë janë duke u zhvilluar protesta të mëdha, me moton “Serbi, a po dëgjohemi?”, për shkak të shkeljes së autonomisë së universiteteve dhe brutalitetit policor.
Njësia e xhandarmërisë ndërhyri sonte pranë Fakultetit Filozofik në Novi Sad.
Sipas raportimeve të N1, veprimi i dhunshëm i policisë filloi papritur, ndaj qytetarëve që ishin mbledhur në mënyrë paqësore.
Në një moment u dëgjua një zhurmë e fortë dhe më pas xhandarmëria nisi të ndërhyjë, duke përdorur shkopinj gome.
Xhandarmëria po lëviz drejt ndërtesës së fakultetit dhe po i shtyn qytetarët. Dëgjohen shpërthime të forta, është hedhur gaz lotsjellës.
Policia po i shtyn njerëzit drejt Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematike (PMF) dhe më tej drejt lumit.
Kujtojmë se Ministria e Punëve të Brendshme ka deklaruar se ka marrë informacion se pjesëmarrësit e tubimit të paregjistruar në Novi Sad kishin qëllim të sulmonin policinë që ndodhej përpara Fakultetit Filozofik dhe Fakultetit të Sportit dhe Edukimit Fizik në këtë qytet.
Kujtojmë se protestat kanë filluar tash e sa muaj kundër pushtetit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.