Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, këtë të martë ka marrë pjesë në Asamblenë e Këshillit të Evropës ku ka thënë se fjalimi i saj ishte një emocion i fortë.
Bogujevci tha se u ndje mirë edhe për faktin që kryesuesja e parlamentit para se t’ia jepte fjalën e dha një njoftim që për Kosovën është hera e parë që po i jepet e drejta e fjalës.
“Kështu që e krijoi një atmosferë të mirë, njëkohësisht edhe të këndshme për mua përpara se ta marr fjalën. Natyrisht që i kisha edhe kolegët e mi rreth meje të cilët më kanë përkrahur dhe i kam pasur afër që nga fillimi, gjë që e bën punën time shumë më të lehtë”, është shprehur Bogujevci.
Tutje, ajo tha se ndonëse Kosova e shkroi historinë, sot kishte gjëra që u mbeten merak.
“Njëra prej gjërave që na ka mbetur merak ta themi është ajo që deputeti Enis Kervan dëshironte të fliste për çështjen e të drejtave të minoriteteve në vendin tonë për shkak se jemi shembull si vend dhe nuk u krijua mundësia që ai të flas”, është shprehur Bogujevci në Klan Kosova.
Ndër të tjera ajo tha se disa tema specifike të deputetit Arben Gashi ishin të pamundshme për t’u diskutuar.
“Gjithashtu, deputeti Arben Gashi kishte tema specifike që lidhen me diskutimet që janë bërë brenda Këshillit të Evropës, që ishin të pamundshme të diskutoheshin”, ka thënë Bogujevci.