Kur dukej se Kuvendi i Kosovës po shkonte drejt konstituimit, procesi u bllokua te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Përpjekja e radhës për ta përmbyllur këtë proces është caktuar për 28 gusht – në ditën e dhjetë të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
Por, çfarë ndodh nëse ky afat nuk respektohet – e gjasat janë, nëse konfirmohen “shkeljet” që i kanë potencuar disa ekspertë gjatë zgjedhjes së katër prej pesë nënkryetarëve?
Gjykata Kushtetuese nuk e ka sqaruar këtë dhe as nuk ka dhënë përgjigje lidhur me arsyet pse nuk ka përcaktuar pasoja për shkelësit e mundshëm.
Një skenar i ngjashëm është shpërfaqur edhe më 26 qershor, kur Kushtetuesja ka lëshuar një aktgjykim po për këtë çështje, pa i caktuar sanksionet, e që gjithashtu nuk është respektuar.
Pse nuk u finalizua konstituimi i Kuvendit?
Më shumë se gjysmë viti pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës më 26 gusht.
Po të njëjtën ditë u zgjodhën edhe tre nënkryetarët nga partitë shqiptare dhe një nga pakicat joserbe, ndërsa konstituimi ngeci te zgjedhja e nënkryetarit serb.
Procesi u zhargit me muaj për shkak të mosmarrëveshjeve politike dhe devijimeve nga rendi i ditës, dhe përfundoi në Gjykatën Kushtetuese nga disa deputetë opozitarë të legjislaturës së kaluar.
Më 26 qershor, Gjykata urdhëroi Kuvendin të konstituohej brenda 30 ditësh, por afati u injorua.
Më 24 korrik, Kushtetuesja ndaloi mbajtjen e seancës konstituive pas skadimit të afatit, ndërsa më 8 gusht urdhëroi zgjedhjen e kryeparlamentarit përmes votimit të hapur.
Aktgjykimi u publikua më 18 gusht, duke nisur një afat të ri.
Ruajtja e standardit dhe mirëbesimit
Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se Gjykata Kushtetuese ka shmangur qëllimisht përcaktimin e pasojave të moszbatimit në vendimet e fundit, për të ruajtur standardin e vitit 2014, sipas të cilit partia fituese ka të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit.
“Kushtetuesja ka tentuar ta ruajë këtë standard si në qershor, ashtu edhe në gusht”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, ky institucion ka vepruar parimisht drejt, duke mos i paragjykuar deputetët e Kuvendit dhe partitë politike për zbatimin ose moszbatimin e vendimit të tij.
“Gjykata niset gjithmonë nga fakti që vendimet e saj, Kushtetuta, zbatohen në mirëbesim dhe jo në bazë të inateve personale, partiake e të tjera”, thotë Miftaraj.
Megjithatë, sipas tij, Kushtetuesja është dashur të vendoste një masë ndëshkuese ndaj kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, i cili kishte devijuar rendin e ditës, duke kërkuar krijimin e një komisioni për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës.
“Ndrojtja” e Kushtetueses nga politika
Mungesën e një sanksioni ndaj Deharit e ka theksuar edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.
Ai ka thënë se gjykata e ka shmangur qëllimisht përcaktimin e pasojave, duke u mbështetur në mirëbesimin e deputetëve dhe duke vepruar, siç është shprehur, “me një lloj ndrojtjeje”.
“Arsyeja përse Gjykata nuk po i vë në dukje pasojat juridike-kushtetuese për individët që në mënyrë specifike pengojnë dhe rrënojnë procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, lidhet – nga njëra anë – me frikën nga politika dhe reagimet e saj irracionale”, ka thënë Hasani, duke përmendur në mënyrë specifike fituesen e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje, dhe “brutalitetin me të cilin ajo ka ftuar për linç ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”.
Vetëvendosje e ka cilësuar vendimin e fundit të Kushtetueses si “arbitrar”, ndonëse udhëheqësi i saj, Albin Kurti, ka premtuar se do të respektojë çdo vendim.
Pa u publikuar aktgjykimi i plotë, por pasi është shpallur nga Kushtetuesja më 8 gusht, deputeti i Vetëvendosjes, Sali Zyba, ka publikuar emrat e gjykatësve të Kushtetueses, duke thënë se “duan t’ia marrin të drejtën LVV-së për të propozuar kryetarin e Kuvendit”.
Një postim të ngjashëm në Facebook e ka bërë edhe Dejona Mihali, koordinatore e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje.
Miftaraj thekson se, nëse Kuvendi dështon të konstituohet plotësisht deri më 18 shtator, deputetë ose parti politike mund t’i drejtohen Kushtetueses për qartësimin e pasojave juridike – gjë që do ta detyronte Gjykatën t’i përcaktonte hapat për tejkalimin e ngërçit institucional.
Edhe Hasani ka paralajmëruar se gjykata mund të vihet në lëvizje nëse afati 30-ditor nuk respektohet.
Kërkesë të ngjashme ka bërë më herët presidentja Vjosa Osmani, por e ka tërhequr atë, për shkak se si raportues për shqyrtimin e kërkesës së saj është caktuar gjykatësi Radomir Llaban, të cilin ajo e konsideron “rrezik për sigurinë kombëtare”.
Edhe pse Osmani e ka tërhequr kërkesën, Hasani ka thënë se Kushtetuesja ka të drejtë ta vazhdojë procedurën.
Pas zgjedhjes së Bashës kryekuvendar, Osmani ka shfaqur shpresën që konstituimi i Kuvendit të përmbyllet sa më parë, në përputhje me Kushtetutën.
Megjithatë, çështja mund të vazhdojë të zvarritet, pasi disa njohës të zhvillimeve politike konsiderojnë se procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve ka qenë jokushtetues.
Sipas tyre, votimi për nënkryetarët nga komunitetet pakicë nuk mund të ndahet, siç ka ndodhur në seancën e 26 gushtit.
“Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese kanë përcaktuar se konstituimi i Kuvendit duhet të bëhet edhe në bazë të praktikave të deritanishme, sipas të cilave pesë nënkryetarët e Kuvendit janë votuar në dy pako të ndara”, është thënë në reagimin e Institutit Demokratik të Kosovës.
Edhe Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus ka thënë se procedura për zgjedhjen e dy nënkryetarëve që përfaqësojnë komunitetet joshumicë duhet të përsëritet, pasi mënyra e ndjekur nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën.
“Zgjedhja e tyre duhet të bëhet me një votim të vetëm, në bllok, për të dy kandidatët”, ka thënë ai.
Kjo është hera e parë që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës zhvillohet me 58 vazhdime pa u përmbyllur. Përpjekja e 59-të është caktuar për 28 gusht./REL