Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se SHBA-ja nuk ka qenë në dijeni për shpërthimet e pejxherëve (pajisje komunikimi me valë) në Liban dhe tha se vendi i tij ishte ende duke mbledhur faktet për shpërthimet.
Duke folur në një paraqitje të përbashkët në Kajro me ministrin e Jashtëm të Egjiptit, Badr Abdelatty, Blinken paralajmëroi të gjithë në rajon që të shmangin marrjen e hapave që mund të përshkallëzojnë konfliktin, shkruan The Guardian.
Dje rreth 3000 njerëz u plagosën dhe 12 u vranë, përfshirë dy fëmijë, nga shpërthimi i pejxherëve brenda Libanit. Sulmi, i cili duket se kishte për qëllim kryesisht operativët e Hezbollahut, i është atribuuar gjerësisht Izraelit. Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë dhe qeveria e Benjamin Netanyahu rrallë komenton mbi operacionet izraelite të kryera jashtë kufijve të tij.