Lidhja e Bizneseve të Kosovës dhe FAISTH Agency Ankara nënshkruan një marrëveshje protokolare për organizimin e Forumit për Investime Tregtare Kosovë-Turqi, i cili do të mbahet në dhjetor 2023 në Prishtinë.
Kjo u bë e ditur sot, gjatë takimit ndërmjet Kryetarit të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, me Metin Karakoca, Menaxheri Gjeneral i FAISTH në Ankara.
Fillimisht, Dreshaj i falënderoi mysafirët për angazhimin e tyre ndaj bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në fushën ekonomike ndërsa theksoi se ky bashkëpunim i ndërsjellë do të zgjerohet edhe më shumë, duke krijuar më shumë mundësi për investime dhe bashkëpunim në mes të bizneseve të dy vendeve, ndikuar kështu pozitivisht në zhvillimin e ekonomisë së tyre.
Ai theksoi rëndësinë e marrëveshjes për tregti të lirë që është nënshkruar më parë në mes të Kosovës dhe Turqisë, e cila do të ndihmojë në intensifikimin e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy shteteve.
Ndërkaq Metin Karakoca, i cili aktualisht qëndron në Kosovë, bisedoi për organizimin e një Forumi të planifikuar në dhjetor mes bizneseve të Kosovës dhe Turqisë me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ekonomik.
Dreshaj përfundoi me një thirrje të hapur për të gjithë investitorët potencialë turk që të shqyrtojnë mundësitë e investimit që Kosova ofron, duke i ftuar ata që të vijnë dhe të eksplorojnë potencialin e tregut të Kosovës.