Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka thënë sot se raporti përfundimtar i Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) “i jep fund të gjitha gënjeshtrave dhe marrëzive për vjedhjen e zgjedhjeve në Serbi”.
Ajo ka thënë këtë në një konferencë për media se pas krizës së shkaktuar nga “rrëfimet e rreme”, tregimit iu dha fund.
“Më e rëndësishmja është që pas disa muajsh paqëndrueshmëri dhe krizë të krijuar nga media të caktuara, organizata dhe lëvizje politike, organizata të caktuara joqeveritare, të krijuara nga “mijëra gënjeshtra dhe marrëzi” çdo ditë përmes mediave dhe rrjeteve sociale, më në fund mbërriti raporti përfundimtar dhe u dha fund të gjitha gënjeshtrave dhe marrëzive për vjedhjen e zgjedhjeve”, ka pretenduar Bërnabiq, transmeton Paparaci.
Ajo ka pretenduar se po drejtohet para publikimit të versionit përfundimtar të raportit të ODIHR-it, sepse, sipas fjalëve të saj, disa media nga United Group filluan të publikojnë ekskluzivisht pjesë të raportit, gjë që, sipas saj, “nuk kishte ndodhur askund më parë”.
Kryeministrja ka thënë se “pavarësisht se cila do të jetë qeveria e re, Serbia do të vazhdojë bashkëpunimin me OSBE-në dhe Zyrën për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR)”, megjithëse nuk pajtohet me gjithçka që thuhet në raport.
Bërnabiq ka pretenduar se qeveria e re “do të vazhdojë me zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it”, si dhe se misioni i saj vëzhgues është ftuar për të monitoruar zgjedhjet e ardhshme lokale, të planifikuara për këtë vit.
“Rekomandimet tregojnë se zgjedhjet ishin të drejta, transparente dhe të ndershme. Ata janë shumë më të butë se sa për shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian”, ka pretenduar Bërnabiq, duke thënë se disa në Serbi “sulmuan vendin e tyre”.