Ish-kreu i Partisë Demokratike ish-kryeministri e presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, ka mbajtur foltoren e radhës nga Shkodra, ku si akuzë kryesore ndaj drejtimit të pasuesit të tij, Lulzim Basha, hodhi faktin se ata lejuan Edi Ramën të merrte mandatin e tretë qeverisës.
Sipas Berishës, ka qenë pikërisht faji i opozitës, që bëri që Rama të arrinte aty.
Ai nuk u kursye në akuza, ku ka theksuar se sipas tij, PD-ja në këto tetë vjet, nuk ka fituar asgjë. Të vetmin hap pozitiv dhe “fitore”, ai ka cilësuar ligjin për dekriminalizimin.
Për Berishën, as Rama nuk mbetet pas.
“Shkodra është qyteti më i diskriminuar në Shqipëri nga Rama”, u tha Berisha ndjekësve nga foltorja.
Ai shtoi se që prej ardhjes së kryesocialistit në pushtet, Shqipëria ka pasur rrogat më të ulëta në rajon.
Nisma rajonale “Open Balkan” ka qenë po ashtu objekt diskursi.
“Mini-Schengeni i Novi Sadit erdhi me urdhër të Alexander Vuçiç”, theksoi Berisha.
Ndërsa pafuqinë e PD-së zyrtare për të ushtruar presion mbi Qeverinë, ai e përkufizoi si një “dështim pas dështimi i opozitës”. /AP/