Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Hisen Berisha, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka filluar të ndjek një politikë të paranojës dhe sipas tij, po krijon armiq imagjinarë.
“Tani jemi në një situatë ku ky ka filluar – është elementi i dytë i këtyre autoriteteve totalitare diktatoreve – paranoja, i krijimit të armiqve imagjinar. Paranojën e ka tani, pasi tani ka filluar të krijojë armiqtë imagjinar, të parin e ka opozitën, na ka barazu me Vuçiqin, shumicën e mediave që paguhen nga Serbia duke i quajtur argatë të Serbisë”, është shprehur ai.
Deputeti i PDK-së ka shprehur shqetësimin se politikat e kryeministrit Kurti kanë ndikuar negativisht në besimin e qytetarëve të Kosovës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“A nuk janë këto paranoja, çështja është se ne jemi popull që i besojmë SHBA-së, sot 51 për qind prej tyre nuk besojnë më në SHBA-në, janë armiq të SHBA-së”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se një pjesë e madhe e popullsisë nuk beson më në SHBA-në dhe i konsiderojnë ata si armiq të Kosovës.
Berisha ka kritikuar kryeministrin Kurti për sulmet e tij ndaj partnerëve ndërkombëtarë dhe për tentativën e tij për të ngritur një diskurs patriotik.
Po ashtu, ai ka deklaruar se politikat e Kurtit kanë sjellë pasoja negative në Kosovë dhe ka theksuar se shqetësimet dhe ngjarjet e fundit janë pasojë e gabimeve të Qeverisë.
“Kanë provuar më marrë vendim të pavarur në raport me SHBA-në dhe prezencën ushtarake ndërkombëtare këtu dhe QUNIT-in, me partnerët. Ka prodhuar pasoja, krejt këto që po i shihni çdo ditë. Krejt këto që po ndodhin sot janë gabime në hapat e kësaj Qeverie. Këto veprime të Kurtit tani në raport me partnerët ndërkombëtare thjesht janë për ta ngritur atë diskursin patriotik dhe për ta arsyetuar implementimin e marrëveshjes së dëmshme të cilat i kanë lexuar në Bratislavë. Tani duke sulmuar partnerët ndërkombëtar po mundohet me arsyetu pozicionin vet”, ka deklaruar Berisha.