Lajme

Berisha kundër dekretimit të ministres AI: Do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar sot se opozita do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar dekretimin e ministres së Inteligjencës Artificiale, Diella, si dhe ndryshimet e miratuara në Rregulloren e Kuvendit.

Në një deklaratë për gazetarët, pas braktisjes së sallës së Kuvendit kur nisi votimi, Berisha akuzoi presidentin dhe kryeministrin Edi Rama për veprime antikushtetuese.

“Unë mendoj se të dy aktet që bënë, aktin e pashembullt të presidentit të Republikës i cili dekreton ministër virtual, inekzistent duke fyer Kushtetutën, vendin dhe presidentin. Dhe e bën si një skllav i Edi Ramës, që është i implikuar gjer në palcë në vjedhjen dhe shpërdorimin e pronave të ushtrisë dhe detyrohet të firmosë çdo gjë që i çon Edi Rama. Akt i pashembullt.”, tha ai.

Sipas tij, dekretimi i Diellës është një veprim që do t’i kthehet në bumerang kryeministrit Rama.

“Imagjinoni ju, e bëri zhurmën, por zhurma po i kthehet në bumerang se, Edi Rama për të mbuluar se po krijon kabinetin e votës së rrëmbyer, të farsës elektorale, nxorri Diellën. Por Diella po i bëhet sterr dhe do i bëhet. Unë mendoj se, duhet ta nisim urgjentisht këtë dekret në Gjykatën Kushtetuese që të arkivohet në banesën e turpit të historisë.”, deklaroi Berisha.

Ai akuzoi se në institucionet më të larta shtetërore ka “njerëz të papërgjegjshëm për detyrën që kanë, të aftë të firmosin gjithçka”, duke shtuar se “nuk besoj se ndonjë diktator tjetër të kishte këtë fuqi asgjësuese për kreun e shtetit”.

Në vazhdim, Berisha paralajmëroi se opozita do të dërgojë në Kushtetuese edhe vendimin për ndryshimet e Rregullores së Kuvendit.

“Sikundër ne duhet të dërgojmë menjëherë në Gjykatën Kushtetuese me kërkesën dhe për pezullimin e vendimit të sotëm të miratimit të ndryshimeve të rregullores në të cilën janë shkelur parimet themelore të Kushtetutës, janë shkelur nenet e saj, germa dhe fryma e saj, është shkelur rregullorja e parlamentit.”, tha ai.

Sipas tij, maxhoranca ka shkelur afatet kushtetuese dhe ka miratuar ndryshime me efekte financiare pa aprovimin e Këshillit të Ministrave.

“Kushtetuta dhe rregullorja në sintoni të plotë parashikojnë si rrugë të vetme të ndryshimit të Rregullores së Kuvendit, afatin 1 javor, minimal. Dhe këta e bënë në një afat 1 ditor. Përveç kësaj, Kushtetuta përcakton se asnjë nen, asnjë ligj me efekte financiare nuk mund të votohet pa u miratuar paraprakisht në Këshillin e Ministrave. Kalimi nga 8 në 11 komisione padiskutim që shton shpenzimet për taksëpaguesit shqiptar dhe është krejtësisht i panevojshëm kishte vetëm një qëllim, vetëm një qëllim që ti hiqej opozitës Komisioni i Integrimit”, tha ai.

Berisha theksoi se qëllimi i mazhorancës është që opozita të mos ketë mundësi të flasë për sfidat e integrimit.

“Integrimi është një proces kompleks, i gjerë, që përfshin të gjitha fushat dhe natyrisht këta janë vite drite larg plotësimit të kritereve në çdo fushë, dhe këtu ata nuk mund të kishin të ja linin opozitës të thoshte të vërtetat, qoftë Brukselit, qoftë komunitetit ndërkombëtar. Por ne do të bëjmë çdo gjë që, zëri ynë të dëgjohet.”, u shpreh kreu i PD-së.

Back to top button