Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka thënë se në Kosovë gjithmonë ka pasur elita politike që kanë bërë kompromise, përveç aktualisht ku, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin po refuzojnë çdo formë të kompromisit për zhbllokim të situatës politike.
Behrami ka përmendur pushtetet e kaluara, teksa ka thënë se pavarësisht se kompromiset janë bërë me shumë negociata, megjithatë është arritur konsensus.
“Kosova ka pasur dikur elita politike ku forcat si PDK që ka dalë nga lufta, që e ka pasur pushtetin, sepse ka dalë nga UÇK-ja, Thaçi ka heqë dorë nga posti i kryeministrit për t’ia lënë Bajram Rexhepit. Ne jemi mësuar nga ditët e para të lirisë me bë kompromise. Ibrahim Rugova e ka bë Ramush Haradinajn kryeministër, Isa Mustafa ka heqë dorë e ka bë Vjosa Osmanin kandidate”, ka thënë ai për KTV.
Behrami ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk është e interesuar për konsensus, dialog dhe kompromis.
“I kemi disa oferta. E kemi një nga Albin Kurti që thotë me çdo kusht, çdo mënyrë, me hatër o me zor Albulena Haxhiu do bëhet kryeparlamentare. E kemi ofertën e PDK-së, që thotë ata që kanë qenë në qeveri nuk mund t’i votojmë për kryeparlamentar. Oferta e LDK-së dihet, qeveri gjithëpërfshirëse. Oferta e AAK-së me emra konkretë. Oferta e Nismas nuk merret parasysh. I kemi disa oferta me shumë mundësi për të dalë nga ngërçi dhe e kemi vetëm një ofertë që është e Kurtit që me ngulm tenton ta katapultojë Haxhiun”, u shpreh ai.