Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Lajme

    BE-ja ndërron drejtues, asnjë lëvizje për Kosovën

    01/07/2025 14:40
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    Nga 1 korriku, Danimarka mori drejtimin e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, duke trashëguar një numër dosjesh të rëndësishme politike – ndër to, edhe njëra që prej kohësh ka mbetur mënjanë: aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE.

    I dorëzuar qysh në dhjetor të vitit 2022, ky aplikim nuk ka kaluar as në fazën e parë formale – shqyrtimin nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimin për opinion te Komisioni Evropian.

    Në kushte normale, kjo do të ishte një procedurë më rutinore. Por, në rastin e Kosovës – që ende nuk njihet nga pesë shtete anëtare – gjithçka është e ndërlikuar nga kalkulimet politike, hezitimet diplomatike dhe mungesa e vullnetit për ta trajtuar këtë çështje më me seriozitet.

    Kosova është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE – një fakt që pasqyron qartë stagnimin e agjendës së saj evropiane.

    Pyetja tani është nëse presidenca daneze do të merret me këtë dosje, apo do të ndjekë edhe ajo rrugën e paraardhësve, duke e lënë në pritje pa afat.

    Këtij interesimi të Radios Evropa e Lirë, ajo nuk iu përgjigj, por njohësit e këtyre proceseve nuk presin ndonjë ndryshim domethënës gjatë gjashtëmujorit të saj.

    “Për momentin, nuk ka asgjë konkrete, asnjë lëvizje. Danezët donin shumë t’i lëviznin gjërat përpara, por, për fat të keq, nuk patën asnjë ndihmë nga ana e Kosovës”, thotë Rikard Jozwiak, redaktor për Evropën i Radios Evropa e Lirë.

    Ai shpjegon se vështirësia kryesore nuk lidhet vetëm me skepticizmin e disa shteteve anëtare ndaj Kosovës, por edhe me vetë gjendjen politike në Prishtinë.

    Kujton se Kosova, prej muajsh, funksionon me institucione në detyrë, apo pa një qeveri të konsoliduar, që do të mund të rifillonte seriozisht angazhimin me BE-në.

    Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, thotë se Kosova nuk ka bërë asnjë lëvizje domethënëse tash e gati dy vjet, duke mbetur në vendnumëro edhe në këtë proces – jetik për të ardhmen e saj evropiane.

    “Ndaj, do të jetë shumë vështirë të binden vendet skeptike ndaj Kosovës, sepse ajo, realisht, nuk është një prej atyre vendeve në Ballkan ku ka zhvillime pozitive”, thotë Jozwiak.

    Edhe pse zgjedhjet u mbajtën në shkurt, Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend të konstituuar dhe, për rrjedhojë, pa qeveri të formuar, për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet partive kryesore.

    Normalizimi i marrëdhënieve është kusht i domosdoshëm si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian.

    Megjithatë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që nga sulmi në Banjskë në shtator të vitit 2023, duke kërkuar më parë dorëzimin e të akuzuarve për atë ngjarje.

    Kjo qasje e ka vështirësuar dialogun dhe ka ndikuar në një qëndrim më kritik të BE-së ndaj Kosovës.

    Kurt Bassuener, nga Këshilli për Politikën e Demokratizimit në Berlin, thotë se politika e BE-së, e fokusuar kryesisht në dialogun e Kosovës me Serbinë, është e dëmshme për Kosovën, pasi, siç thotë, ka sjellë presion të njëanshëm ndaj saj dhe trajtim më lehtësues për Serbinë.

    Kjo, sipas tij, ka krijuar pabarazi në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe shpjegon arsyet përse:

    “Përputhshmëria e Kosovës me politikën e jashtme të BE-së, edhe pse nuk është vend kandidat, është shumë më e mirë se ajo e Serbisë, e cila është kandidate. Orientimi gjeopolitik i Kosovës është i pakontestueshëm në të gjithë spektrin e ndarë të partive”.

    Për Bassuenerin, është thelbësore që Serbisë t’i bëhet e qartë se pa e njohur Kosovën si shtet të pavarur, rruga e saj drejt BE-së do të ngecë.

    Në këtë mënyrë, thotë se BE-ja duhet të ushtrojë presion të barabartë ndaj Beogradit dhe t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Prishtinës, të vendosura qysh pas tensioneve në veri, në vitin 2023.

    Pa këta hapa, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të arrijë përparim të qëndrueshëm, thotë Bassuener, duke theksuar rëndësinë e një ndryshimi rrënjësor në politikën e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.

    “Danimarka mund të katalizojë një koalicion më të gjerë të vendeve anëtare për të detyruar një rishikim të politikës evropiane ndaj Ballkanit Perëndimor në tërësi. Prej saj do të përfitonte jo vetëm Kosova, por edhe ata që, aktualisht, mbështesin një Serbi të qeverisur në përputhje me vlerat themelore të BE-së”, thotë Bassuener.

    Bashkimi Evropian, për herë të fundit, është zgjeruar me Kroacinë në vitin 2013.

    Jozwiak thotë se blloku, aktualisht, është i fokusuar në çështje të tjera më prioritare, si armatosja e Ukrainës, ndërsa politikën e zgjerimit e ka kufizuar vetëm tek ato vende që kanë arritur përparime të dukshme, si Shqipëria dhe Mali i Zi.

    “Këto dy vende mund të përparojnë edhe më tej, por pothuajse të gjitha të tjerat, për arsye të ndryshme, do të mbeten ku janë edhe gjatë presidencës daneze”, thotë ai.

    Jozwiak parashikon që prioritete të presidencës daneze të jenë mbështetja ushtarake për Ukrainën, si dhe arritja e një marrëveshjeje tregtare me SHBA për të shmangur tensionet ekonomike transatlantike.

    Përveç kësaj, do të fillojë edhe procesin e negocimit për buxhetin e ri afatgjatë të BE-së, thotë ai.

    Danimarka e mori kryesimin e BE-së nga Polonia, e cila e kishte në gjashtë muajt e parë të këtij viti.

    Para saj në krye ishin: Hungaria, Belgjika, Spanja, Suedia, Çekia…

    Si kryesuese në gjysmën e dytë të 2022-shit, Çekia e pranoi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të atij viti.

    Por, asnjë vend pas saj nuk e shqyrtoi, as s’e çoi përpara.

    Me rregullore, detyrën për ta futur në shqyrtim aplikimin e një vendi për anëtarësim në BE, e ka presidenca e Këshillit të BE-së, e cila çdo gjashtë muaj ndërrohet mes vendeve anëtare.

    Por, me këtë ritëm, duket se Kosova do të vazhdojë të presë në radhën e gjatë të çështjeve ‘prioritare’ të BE-së – aty ku presin edhe premtime të tjera të pambajtura.

    Artikuj të ngjashëm

    Anglia përjeton qershorin më të nxehtë ndonjëherë

    Ish- banorja e Big Brother Vip Kosova në diell u shtri për t’u bërë “kafe”, por u kthye si “domate”!

    Kepa njofton largimin e tij nga Chelsea

    Të Fundit

    Anglia përjeton qershorin më të nxehtë ndonjëherë

    Ish- banorja e Big Brother Vip Kosova në diell u shtri për t’u bërë “kafe”, por u kthye si “domate”!

    Kepa njofton largimin e tij nga Chelsea

    Sonte përballja e gjigantëve Real Madrid – Juventus

    Atiq e Durmishi inspektojnë punimet e urave mbi Ibër, Policia e KFOR-i monitorojnë nga afër situatën

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.