Me inciativë të Komandantit të Bataljonit dhe varësitë e tij, është organizuar një aksion humanitar për të ndihmuar ish-ushtarin e UÇK-së nga fshati Çarr i Bujanocit, Basri Sylejmanin, shkruan GazetaDemos.
Ky organizim është bërë duke parë kushtet e vështira në të cilat jetonte Sylejmani, pasi që nuk mund të kthehet më as në vendlindjen e tij për shkak të angazhimit dhe rreshtimit përkrah ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën e fundit në Kosovë.
Falë këtij aksioni humanitar, tani më Basri Sylejmani do të zhvendoset me familjen e tij nga të jetuarit me qera në pronën e tij personale, pronë kjo e cila u sigurua falë edhe humanitetit dhe donacioneve të dhuruara nga shumë donatorë që vijnë nga Këshilli i Aksionit të Bashkëatdhetarëve nga Lugina e Preshevës-Bujanocit në Gjermani dhe Zvicër.
Mjetet që janë grumbulluar nga Mërgata kap shumën prej 24,700€, ndërsa ato të grumbulluara në Kosovë është 14,150€.
Banesa ka kushtuar 38,000€, ndërsa 850€ e mbetura i janë dhënë pronarit për riparim.
Ky aksion humanitar ka filluar më 01/07/2021 dhe ka përfunduar më 25/10/2021, ndërsa antarët e Këshillit Iniciues janë: Sabit Lladroci – Komandant i Bataljonit të parë, Ferki Karaxha – Komandant i Kompanisë së tretë dhe Nehat Sylejmani – Komandant i Kompanisë së parë.
Ky Këshill ka falenderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë aksion humanitar, përfshirë këtu antarët e Këshillit në Gjermani dhe Zvicër: Shenasi Mustafa, Fidan Ibrahimi, Ramiz Behluli, Arben Murati, Burhan Jahiu, Imer Ferati dhe Sylejman Rexhepi.