LajmeNdërkombëtare

Barduani në Tiranë viziton ministrin Vengu, vlerëson përkushtimin e kontingjentit shqiptar në KFOR

Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani, zhvilloi një vizitë zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes në Tiranë, ku u prit nga ministri Pirro Vengu dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneralleitnant Arben Kingji.

Siç njofton KFOR-i, gjatë takimit u diskutua mbi angazhimin e vazhdueshëm të misionit paqeruajtës për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajonin në përgjithësi, si dhe mbi rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjeneral Barduani theksoi se KFOR-i mbetet i vendosur të garantojë një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet.

“Ai vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin e kontingjentit shqiptar në KFOR, duke nënvizuar kontributin e tyre të vyer për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, u tha në njoftimin e KFOR-it.

Po ashtu, Barduani ritheksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe partneritetit të qëndrueshëm mes KFOR-it dhe Shqipërisë.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button