Barcelona e Real Madridi mësojnë kundërshtarët e parë në Kupën e Mbretit
Barcelona, Real Madrid, Atletico Madrid dhe Athletic Club kanë mësuar kundërshtarët e tyre për fazën e 1/16-tës të Kupës së Mbretit, pas shortit të hedhur të martën. Ndeshjet do të zhvillohen javën e ardhshme, të martën, të mërkurën dhe të enjten, para fundjavës së fundit të ndeshjeve të La Ligës për vitin 2025.
Shorti u hodh në selinë e Federatës së Futbollit të Spanjës (RFEF) në Las Rozas, me ekipet e Superkupës së Spanjës që kanë anashkaluar dy raundet e para për shkak të pjesëmarrjes së tyre në turneun në Arabinë Saudite. Të gjitha skuadrat që luajnë në liga më të ulëta se La Liga u caktuan si pritëse në shtëpi, përfshirë katër ekipet e kategorisë së tretë: Atletico Baleares, Talavera, Guadalajara dhe Real Murcia.
Kampioni në fuqi, Barcelona, do të përballet me Guadalajara, duke udhëtuar pothuajse deri në kryeqytetin spanjoll, ku ndeshja do të luhet në stadiumin “Pedro Escartín” me kapacitet 6,000 ulëse. Guadalajara eliminoi Ceuta-n në raundin e kaluar me rezultat 1-0. Ndërkohë, surpriza e mëparshme, Atletico Baleares, do të sfidojë Atletico Madrid-in, pasi fituan1-0 kundër Espanyol-it.
Real Madrid do të përballet me Talavera-n, një udhëtim i shkurtër drejt jugut. Talavera eliminoi javën e kaluar Malaga-n me rezultat 2-1. 5,000 tifozë pritet të mbushin “El Prado”-n për të pritur gjigantët madrilenë. Ndërsa ekipi i katërt nga liga e tretë, Real Murcia, do të ketë përballë Real Betis-in.
I vetmi duel mes skuadrave të La Ligës është ai mes Alaves dhe Sevilla, me andaluzianët që fituan 2-1 në përballjen e tyre të këtij sezoni në Mendizorrotza.