Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Belinda Balluku, ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj personave që shkaktojnë zjarre në mënyrë të qëllimshme, duke i cilësuar veprimet e tyre të patolerueshme.
Gjatë një vizite në Bulqizë, një nga zonat e prekura nga flakët, Balluku theksoi se autoritetet do të zbatojnë dënime maksimale për zjarrvënësit dhe do të publikojnë identitetin e tyre, me qëllim frenimin e rasteve të tilla në të ardhmen.
“Është e patolerueshme kjo që po ndodh. Kjo nuk është vetëm në zonën e Bulqizës, por në të gjithë Shqipërinë. Është bërë një punë e shkëlqyer nga policia, zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura, të cilët kanë qenë në krye të kësaj beteje me zjarrin. I falënderojmë për kontributin e tyre”, deklaroi Balluku, sipas ABCNews.al.
Ajo nënvizoi se, pavarësisht situatës së rënduar, nuk janë shënuar humbje në jetë njerëzish, gjë që e quajti më të rëndësishmen. Sipas saj, jugu i vendit mbetet ende në një situatë kritike, por pritet që rënia e temperaturave në ditët në vijim të ndihmojë në shuarjen e vatrave të zjarrit dhe rikuperimin e situatës.