‘Zoti është Shqiptar’. Një banderolë me tri fjalë, e shfaqur nga tifozët e kombëtares shqiptare të futbollit në ndeshjen kundër Ishujve Faroe më 13 nëntor, trazoi shoqëritë në Kosovë dhe Shqipëri.
Klerikët fetarë e cilësuan skandaloze këtë banderolë, të cilën e shpalosi një grup i tifozëve të kombëtares shqiptare të futbollit, në mesin e të cilëve ndodhej edhe Ballist Morina.
Tifozi nga Shikja e Kukësit, i famshëm për dronin që fluturoi mbi Beograd në ndeshjen Serbi-Shqipëri më 2014, ka thënë se banderola është keqkuptuar nga shumëkush.
Sipas tij, qëllimi i banderolës ‘Zoti është Shqiptar’ nuk ishte negativ.
I ftuar në televizionin Top Channel në Shqipëri, Morina ka thënë se banderola nuk kishte për qëllim mohimin e Zotit.
“’Zoti është shqiptar’ është sinonim i shprehjes së Pashko Vasës ‘Oj Shqipëri e mjera Shqipëri’. Unë jam mysliman. Një pjesë e shoqërisë se klerikëve më kanë keqkuptuar. Shprehja është metaforike. Nuk tregon realisht atë që shihet shabllon. Po jetojmë në një moment shumë të vështirë”, tha Morina.
“Kjo ka qenë një mesazh përbashkues, komplet e kundërta nga çfarë jam akuzuar nga disa nga klerikët që më kanë akuzuar. Zoti është i të gjithëve”, u shpreh Morina.
Klerikë fetarë, veçanërisht të fesë islame në Prishtinë e Tiranë, kishin reaguar ashpër ndaj pankartës së shpalosur në stadiumin Air Albania.