Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili paralajmëroi se Kosova rrezikon të humbasë 90 milionë euro nga Banka Botërore nëse Kuvendi nuk konstituohet deri në shtator.
Në një reagim publik, Bajrami e akuzoi Muratin për dezinformim dhe e cilësoi Lëvizjen Vetëvendosje si përgjegjëse të drejtpërdrejtë për bllokadën institucionale.
“Hekuran, mos dezinformo! Ju jeni bllokuesit. Me 48 deputetë e keni ngujuar veten dhe vendin politikisht rreth një kandidateje për kryetare Kuvendi, për të cilën nuk i keni votat. Mos provo me hedhë përgjegjësinë te të tjerët për krizën që vetë e keni krijuar dhe po e zgjatni”, ka shkruar Bajrami.
Ajo shtoi se Murati ka dështuar si ministër për të siguruar votat për ratifikimin e marrëveshjes me Bankën Botërore dhe e akuzoi për mungesë menaxhimi të fondeve ndërkombëtare, përfshirë grantet nga Bashkimi Evropian.
“Pse nuk flet për qindra miliona euro grante nga BE-ja që vendi nuk mund t’i shfrytëzojë prej dy vitesh, për shkak të masave ndëshkuese që kanë ardhur si pasojë e qeverisjes suaj arrogante dhe destruktive?”, shtoi ajo.
Deputetja e LDK-së përmendi edhe humbjen e një granti rreth 70 milionë euro për investime në KEK, të cilat sipas saj janë bllokuar për shkak të sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës, duke e cilësuar këtë si dëshmi të dështimit qeveritar në çdo nivel.
“E keni shkatërruar këtë vend, dhe përsëri keni fytyrë të dilni publikisht me broçkulla, duke u përpjekur të shmangni përgjegjësinë për dështimet tuaja të përditshme për me tepër se katër vjet”, ka thënë Bajrami.